Fiks Fare denoncoi abuzimet e disa institucioneve gjatë ndërtimit të një pallati në Vlorë. Shkeljet nisin në Bashkinë e Vlorës, e cila kolaudoi pallatin pa ashensor, pa dyer, pa dritare dhe pa hidrosanitare. Ndërkohë, shkeljet vijuan në Hipotekë, e cila mbajti të bllokuar këtë pronë për më shumë se 6 muaj, megjithëse ligji e ka parashikuar qartë se kufizimi mbahet vetëm për 30 ditë. Madje, Hipoteka e Vlorës “rrëzoi” edhe tre vendime të Gjykatës së Vlorës, Apelit dhe Gjykatës së Lartë, të cilat i jepnin të drejtë pronarëve të truallit për këtë pallat.
Në redaksinë e “Fiks Fare” u ankua familja Myslymi nga Vlora. Jonid Myslymi thotë se gjykatat kanë vendosur në favor të tyre, madje shkruajnë se prona ndodhet brenda sheshit të ndërtimit. Ai thotë se Hipoteka e ka kufizuar pronën me arsyetimin se ka probleme me skicat. Por, edhe ky fakt është gjykuar. Konflikti i pronarëve të truallit me firmës ndërtuese ka shkuar në Gjykatë. Të treja shkallët e gjyqësorit i kanë dhënë të drejtë pronarëve, që janë edhe banorë në atë pallat.
Krahas problemit me ndarjen e apartamenteve, Shkalla e Parë, Apeli dhe Gjykata e Lartë dolën në konkluzionin se familja Myslymi ka pronë në atë shesh ndërtimi. Madje, prona e tyre është 100 % brenda sheshit të ndërtimit të dy pallateve.
Por, çuditërisht, Hipoteka e Vlorës ka dalë mbi tre vendimet e gjykatës. Ajo pretendon se prona e familjes Myslymi ka probleme me skicën. Por, edhe këto probleme u shqyrtuan në gjykatë, e cila doli në konkluzionin se “pasqyrimi gabim i hartës nuk mund të cenojë aspak vlefshmërinë e pronës”. Por, edhe pas këtij vendimi, Hipoteka e Vlorës thotë se nuk mund ta zbatojë. Madje, i orienton palët sërish në gjykatë!
Ndërkohë, tre ditë më parë, Gjykata Administrative e Vlorës vendosi masë sigurie sekuestro vetëm ndaj pronave të familjes Myslymi. Vendimi erdhi pas bllokimit të pronës për 6 muaj nga Hipoteka, në kundërshtim me ligjin, që parashikon se kufizimi mbahet vetëm 30 ditë!
Jonid Myslymi thotë se hipoteka e këtij pallatit ka dalë, madje pallati është kolauduar. “Një nga kolaudatorët ka qenë z.Ilir Troci, ish shefi i Urbanistikës që është edhe vëllai i regjistruesi të Vlorës, Klodian Troci. Ka qenë kolaudator i këtij pallati. Ky pallat nuk ka përfunduar, hyrjet janë të parregulluara, pavarësisht se akti i kolaudimit është plotësuar” thotë Myslymi. Sipas tij, z.Ilir Troci banon në katin e shtatë të këtij pallati, ndërsa saktëson se pallati nuk ka ashensor.
“Fiks Fare” bisedoi me drejtorin e Hipotekës së Vlorës, Klodian Troci. Ai thotë se prona është regjistruar, por ka pasur disa indicje për probleme me skicën. “Sot jemi para faktit që kemi konstatuar një regjistrim në kundërshtim me ligjin nga kjo zyrë vendore në bazë të shqyrtimit është konstatuar që kjo pasuri në bazë të konfiguracionit nuk i përket skicës së origjinës. Pjesa që zotëron me certifikatë pronësie” thotë ai. Më tej shton se “zyra vendore s’ka dalë asnjëherë që z.Myslymi është jashtë sheshit të ndërtimit. Z.Myslymi është brenda sheshit të ndërtimit, por konfiguracioni që ka marrë nga pronarët e mëparshëm ndryshon me atë që ka bërë menaxhimi. Gabimi është bërë prape te kjo zyrë”, thotë ai.
Në lidhje me vëllain-kolaudator, shton se “ka qenë punonjës i Bashkisë së Vlorës dhe ka bërë projektimin e atij pallati. Ai ka qenë një ndër inxhinierët që ka bërë kolaudimin e pallatit”. Për apartamentin e blerë nga i vëllai, z.Troci thotë se “është një blerje që ka bërë vëllai im nga firma, si të gjithë banorët që blejnë”. Në lidhje me kolaudimin e pallatit pa përfunduar më parë punimet, shton se “në momentin që merret leja e shfrytëzimit, presupozohet që godina ka përfunduar, vjen nga Bashkia”. Ai thotë se Hipoteka nuk kontrollon nëse është vendosur dera apo dritarja dhe dosja shkon në rrugë zyrtare.
Gazetarët e Fiks Fare shkuan në Bashkinë e Vlorës, ku shefi i Urbanistikës thotë se “sot kemi ardhur në dijeni të kësaj situate dhe kemi nxjerrë dokumentet ligjorë të certifikatës së përdorimit të vitit 2015 si dhe akt kolaudimin”. Sipas tij, në momentin që jepet certifikata e përdorimit duhet të ketë përfunduar i gjithë pallati; ashensor, dyer, dritare, pllaka, hidrosanitare. Ai shton se ankesa i ka ardhur nga grupi i Fiks Fare dhe do të shkojë ta verifikojë në terren.
Në fakt, banorët e atij pallati janë ankuar në Bashkinë e Vlorës. Sipas një dokumenti që mban datën 10 shkurt 2016, bashkia u ka kthyer përgjigje banorëve se këto problematika duhet t’i zgjidhin me firmës ndërtese me vullnetin e tyre. Dhe, në rast se nuk bien dakord, t’i drejtohen gjykatës. Por, pyetjet që ngrihet në këtë rast janë: si u miratua akt kolaudimi nga Bashkia e Vlorës për këtë pallat, kur nuk kishin përfunduar të gjitha punimet? Dhe, në këtë situatë, a është bërë kontroll pas ankesës së banorëve dhe a janë marrë masa ndaj punonjësve apo ish-punonjësve të bashkisë, disa prej të cilëve banojnë pikërisht në atë pallat? /Top Channel