Kryetari i LZHK, Dashamir Shehi i ftuar në ‘Rtv Ora’ është shprehur se nëse ‘elektorati gri’ do t’i bashkohej protestës së opozitës, qeveria, sipas tij do të rrëzohej brenda 24 orëve.
“Në të gjithë botën protestat i bëjnë aktivistët, militantët dhe simpatizantët. Ata që nuk e kanë problem të qëndrojnë aty te tymi, të përplasen me policinë apo të ekspozohen para kamerave të policisë. Nëse elektorati gri do t’i bashkohej protestës, kjo qeveri nuk do të qëndronte as 24 orë. Ai qytetari gri vazhdon të qëndrojë në atë dyqanin e tij. Në momentin që do të mbyllen kafet, dyqaneve do t’i vihet qepena, atëherë kjo qeveri ka rënë. Deri tani jemi në nivelin e aktivistëve”, u shpreh Dashamir Shehi.
Ndër të tjera, Shehi shpjegoi edhe arsyet pse protesta e opozitës është vendosur të zhvillohet pasdite, teksa theskoi se protestat kanë qenë paqësore, nuk kanë shkaktuar incidente.
“Unë gjykoj që mirë është bërë, tani po vjen dhe koha e vapës, dita është e gjatë, njerëzit janë edhe më të lirë, janë çliruar nga punët e veta. Realiteti është ky, kjo është protesta e 8-të, nuk është thyer ndonjë xham në Tiranë, nuk është plagos e jo më vrarë njeri”, tha ish deputeti Shehi.