Pas lajmeve që qarkullonin në media, për vëllain e dënuar në Itali i cili ka ndryshuar emrin, ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka shuar heshtjen. Ai është rrëfyer për herë të parë për vëllanë e tij nga ana e nënës, që së fundi është bërë objekt i diskutimeve në media.
Duke iu përgjigjur shkrimit të ‘Gazetës Tema’, Salianji tha në emisionin ‘Java’ në ‘Rtsh’ se ka ngritur një padi për këtë media, pasi vëllai i tij nuk ka qenë asnjëherë më parë i dënuar. Ai konfirmoi se i vëllai ka 21 vite që jeton në Angli, dhe se ka ndërruar emrin në mënyrë që të përfitonte leje qëndrimi atje, si shtetas kosovar.
“Sa herë që jam marrë me denoncime, mediat dalin dhe publikojnë shpifje të tilla. Ai nuk ka qenë asnjë ditë i punësuar në Bashkinë e Tiranës, ka 21 vite që jeton në Angli, dhe ka ndërruar emrin për shkak se ka marrë letra si shtetas kosovar.
Nëse do të isha unë në vendin e Fatmir Xhafajt, do të çoja për përgjegjësi personale të gjithë të afërmit e mi, që kishin probleme me krimin. Njëherë tjetër publikuan lajme se mamaja ime vidhte energjinë, kjo është e turpshme.
Kam bërë padi në Gjykatë në shpifje për gazetën që e nxori lajmin e para, dhe janë avokatët e mi që po merren me këtë çështje”, tha Salianji.