Detaje të reja dalin në dritë pas ngjarjes së rëndë ku një elektricist 34-vjeçar humbi jetën pasditen e kësaj të diele në Fierzë. Gazetari i “BalkanWeb”, Armir Mehja raporton se elektricisti, Prend Ceca, ishte nisur i vetëm për të riparuar defektet e shkaktuar nga erërat e forta, ndërsa prej orës 14 kishte ndërprerë kontaktet me familjarët.
Por kur kaluan një orë e gjysmë pas humbjes së kontaktit, familjarët morën lajmin e hidhur për elektricistin i cili ra në kontakt me korrentin duke humbur jetën.
Ngjarja ndodhi në fshatin Fierzë, vetëm një kilometër nga hidrocentrali i Fierzës. Edhe pse familjarët bëjnë të ditur se kanë njoftuar policinë dhe OSHEE ende askush nuk ka mbërritur për të zbritur trupin e pajetë të 34-vjeçarit nga shtylla ku humbi jetën në krye të detyrës.
Mësohet se elektricisti kishte dal vetëm për riparimin e defekteve, veprim ky që përbën shkelje të sigurisë teknike. Familjarët dhe banorë të zonës vazhdojnë të qëndrojnë rreth shtyllës teksa ende përfaqësuesit e shtetit nuk kanë mbërritur në Fierzë edhe pse familja Ceca shprehet se janë njoftuar sapo morën lajmin e hidhur. /BalkanWeb