Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është nisur drejt Vjenës, një ditë pas dorëzimit në mënyrë zyrtare të mandateve në Kryesinë e Kuvendit.
Madje, ai shoqërohet nga djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, teksa janë parë bashkë në aeroportin e Rinasit.
Sipas informacioneve të para, Basha pritet të zhvillojë takime me zyrtarë atje rreth situatës politike në vend, ndërsa nuk dihet qëllimi i vizitës së Shkëlzen Berishës.
Basha pritet të takohet me Presidentin e Asamblesë Parlamentare e OSBE George Tsereteli dhe Sekretarin e Përgjithshëm. Në kryeqytetin austriak ndodhet edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe Nard Ndoka.
Pasi të zhvillojë takime me asamblenë parlamentare të OSBE-së, Basha më pas do të kthehet bashkë me Mediun dhe Ndokën, raporton BalkanWeb.
Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, sqaroi dje se ndodhet në Vjenë dhe sapo të kthehet në Tiranë, do të firmosë dokumentin për dorëzimin e mandatave njësoj si deputetët e tjerë të opozitës.
“Unë kam dy ditë në Vjenë. Kjo është qesharake. Unë kam bërë një deklaratë si deputetët e tjerë të opozitës. Mandati im është mandati i qytetarëve demokratë. Nuk është vënë ndonjëherë në diskutim ajo çka kërkojnë dhe vendosin qytetarët. Unë nuk kam mandat. Në momentin e parë që do të jem në Tiranë, do të kryej të gjitha aktet formale për ta bërë. E kam bërë deklaratë publike dhe do e formalizoj. Nuk kam mundësi nga Vjena për ta bërë, sepse ligjërisht nuk do të ishte e qëndrueshme. Jam këtu për të përfaqësuar zërin e opozitës dhe të qytetarëve dhe sa të kthehem, do të bëj të njëjtin veprim si kolegët e mi. Vendimi im është i koordinuar me z.Basha”, theksoi Mediu.