Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka dhënë një shuplakë opozitës, lidhur me vendimin e kësaj të fundit për të djegur mandatet. Në deklaratën e paralajmëruar për shtyp, Ruçi tha se opozita po rrezikon çeljen e negociatave me BE-në në qershor, ndërsa shtoi se nuk ka pushtet në tavolinë duke kërcënuar parlamentin e duke braktisur detyrën.
Fjala e Ruçit:
Kam falënderuar personalisht ministrin e Brendshëm. Lidershipi i tij ka bërë diferencën e madhe mes asaj të 16 shkurtit, dhe asaj të disa viteve më parë që u kthye në një tragjedi kombëtare.
Që negociata të jenë në pikëpyetje për shkak të rrethanave politike brenda llojit, kjo është e pajustifikueshme. Më vjen keq që partnerët ndërkombëtarë janë detyruar të mbajnë qëndrime të forta ndaj qëndrimeve të opozitës, por falënderoj për interesin që kanë në të mirë të vendit.
Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për këtë situatë. Një skenar i tillë i padëgjuar është një lloj kamikazllëku që dëmton raportet në këtë mjedis. Nuk është ky momenti, por ultimatumet nuk janë demokratike. Pushteti nuk merret në tavolinë por është tërësia e qytetarëve që ta gjykojnë me votë. Si kryetar i kuvendit, duhet të them se opozitë më të garantuar për lirinë e shprehjes se sa kjo e sotmja, ky vend nuk ka patur.
Prej 5 vitesh e gjysmë kjo opozitë shpenzon kohë më shumë se ajo e mazhorancës dhe askush nuk i ka thënë “plaç”.Që opozita të dojë karrigen e qeverisë, për mua është normale, edhe që të kërkojë zgjedhje të parakohshme, por që të sigurojë pushtetin në tavolinë dhe për këtë të kërcënojë parlamentin e të braktisë detyrën, kjo nuk është normale. Si mundet që të pretendojë që debati të zhvillohet në rrugë?
Është detyra jonë t’i krijojmë hapësira kohore reflektimi dhe mundësi rikthimi në rrugën institucionale. Në këto kushte, duke pasur parasysh apelin e partnerëve tanë strategjikë, duke pasur parasysh raportet e organeve ligjzbatuese dhe të inteligjencës dhe të ruajtjes së integritetit të sallës së Kuvendit, ftojë kolegët deputetë që të mirëkuptojmë për mos zhvillimin e seancës plenare të datë 21 shkurt, pra ditën e enjte në orën 10.
Përgjegjësia ime si kryetari i Kuvendit por edhe si qytetar i këtij vendi, nuk më lejojnë t’u jap mundësi keqbërësve, të cilët mund të përfitojnë nga kultura dhe dinjiteti i qytetarëve për të sulmuar institucionet e shtetit dhe për të nxirë për herë të dytë, imazhin e Shqipërisë. Le të na shërbejë të gjithëve këto ditë për të na ndihmuar të reflektojmë dhe të bëhemi më të matur dhe më bashkëpunues, duke rivendosur platformat dhe ambiciet tona politike në shërbim të gjithë shqiptarëve.