Pas akuzave nga deputetja e LSI-së Silvi Caka, edhe Partia Demokratike ka sulmuar sot ministren e Shtetit Elisa Spiropali për vjedhje.
Denoncimi u bë nga selia blu përmes deputetes së PD Jorida Tabaku e cila kërkoi hetim për këtë rast.
Sipas denoncimit, bashkëshorti i Elisa Spiropalit i ka dhënë vëllait të gruas, pra kunatit të tij tendera me vlerë 350 mijë dollarë.
Një trekëndësh biznesi ndërmjet Salarjon Totaj (bashkëshorti i Spiropalit), Enkli Spiropalit (vëllai i Spiropalit) dhe Marjus Memushajt (krushku i Spiropalit) ka shënuar ndoshta një prej skemave më arbitrare të konfliktit të interesit, shkruan Bold News duke theksuar se paktën 350 mijë dollarë është shifra e përfitimeve që ka realizuar ky trekëndësh.
“Kompania u ndërtua më 9 shtator në një njëjtën ditë kur u krijua edhe qeveria Rama. Engli Spiropali krijoi një kompani që e quajti Solomon me qendër në fier me kapital 1 milion lekë fitoi tenderin e parë në 27 mars të 2014.
Bamirësi ishte kunati i tij, bashkëshorti i Elisa Spiropalit. Për të fshehur gjurmët vëllai i saj e shiti kompaninë pak ditë më vone brenda familjes të, kushëririt të bashkëshortit”, tha Tabaku.
Ministrja Spiropali ka hedhur poshtë këto akuza në një postim në Facebook, duke pohuar se do e çojë në gjykatë median që ka shpifur.
Reagimi i plotë i Spiropalit:
E porosit Saliu, pastaj e nxjerr një frëngji e paguar n ga fondet e zeza te Shqupit, pastaj del në këndin e shpifjeve dixhitale të Saliut, pastaj e këndon recituesja e Shqupit dhe ja u krye hedhja e bojës mbi tjetrin! Sot ishte radha ime dhe këtë radhë u bë im vëlla mish për top i kësaj opozite mavri me boje. Vëllai im nuk ka përfituar kurrë dhe asnjëherë asnjë kontratë apo fond publik, as kur isha beqare, as kur u martova, as kur isha aktiviste, as kur isha drejtore, e as tani si ministre. Po fjalët me këta gojështhurur janë të tepërta. Padia është e vetmja rrugë me këta bartës e përçues të horrllëkut politik. Në gjykatë le të provojnë çfarë akuzojnë ose përndryshe paratë për dëmin do të shkojnë për të ndihmuar kopshtin e Kolonjës.