Ministri i Brendshëm ka cilësuar kapjen e Klement Balilit, si një nga fitoret më të mëdha të Policisë së Shtetit.
Gjatë fjalës së tij në veprimtarinë kushtuar prezantimit të rezultateve të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, Lleshaj tha se Shqipëria ndodhet në nivel et më të ulëta sa i takon trafikut të lëndëve narkotike. Duke cilësuar 2018 si një nga vitet më të suksesshme të Policisë së Shtetit, Lleshaj kujtoi edhe policët e rënë në krye të detyrës.
Më tej, ai e mbylli fjalën e tij duke apeluar për fitimin e besimit të qytetarëve, kjo referuar ngjarjeve të fundit, por sigurisht pa u përmendur nga ministri.
“Sado probleme që mund të ketë PSH, ajo ka një trashëgimi të rëndë, por edhe shumë të çmuar. Gjaku i derdhur nga 224 heronjtë e saj është një thirrje e përjetshme për besnikëri ndaj qytetarëve të këtij vendi, të cilët i besojnë asaj gjënë më të çmuar, jetën dhe sigurinë e fëmijëve të tyre.
Dhe përballë kësaj thirrjeje të përjetshme ne kemi vetëm një alternativë:
Të fitojmë besimin e qytetarëve, për të mundur që të fitojmë edhe betejat e përhershme me të keqen kriminale të këtij vendi”, përfundoi ai.
Fjala e Lleshajt e përmbledhur:
Historia e kanabisit në Shqipëri është relativisht e re. Ajo ka nisur në fillim të viteve 90-të, ka kaluar nëpër një trajektore plot oshilacione, ka prodhuar lajme botërore me Lazaratin dhe ka mbërritur sot në nivelet më të ulta.
Për vitin 2018, sipas të dhënave zyrtare të PSH, niveli i kultivimit të kanabisit në Shqipëri është në minimumin historik.
Siç u dokumentua gjatë prezantimeve të mëparshme, ky sukses konfirmohet plotësisht edhe nga bregu përballë, Italia fqinje.
Në vitin 2018, sasia e kanabisit të kapur në Itali me origjinë nga Shqipëria është 81% më e ulët se në vitin 2017!
Prapa këtij rezultati shumë inkurajues është puna dhe përkushtimi i gjithë strukturave të PSH, organeve të pushtetit qendror dhe vendor.
Konsekuenca për zbatimin e Planit të Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit, angazhimi i një numri të madh institucionesh, qasja gjithëpërfshirëse, koordinimi i ngushtë ndërinstucional dhe bashkëpunimi i shkëlqyer ndërkombëtar janë faktorë të rëndësishëm që qëndrojnë përpara këtij suksesi të madh.
Orientimi i goditjes ligjore, jo thjesht kundër bimëve narkotike, por kundër rrjeteve dhe grupeve kriminale, funksionimi i një sistemi të qartë përgjegjësish të drejtpërdrejta të zyrtarëve të pushtetit qendror e vendor që kanë detyra për kontrollin dhe administrimin e territorit, korrelacioni i qartë i përgjegjësive mes punonjësve të policisë me zonat potenciale për kultivimin të bimëve narkotike si dhe monitorimi i rreptë dhe i shumëfishtë i gjithë territorit, ku veçohet operacioni i monitorimit nga ajri, janë disa nga elementët kryesorë që kanë mundësuar rezultatin historik të arritur në këtë luftë të rëndësishme për të ardhmen e vendit.
Asistenca frontale e BE dhe e vendeve anëtare ka qenë e pranishme në të gjitha aspektet e luftës kundër kanabisit, si në hartimin e strategjive dhe planeve, në mbështetjen e strukturave ligj zbatuese, në lehtësimin e pasojave sociale, në mbështetjen e edukimit të shëndoshë, në ndihmën ndaj viktimave të kësaj veprimtarie kriminale, etj..
Viti 2017 ishte një sukses i rëndësishëm. Ndërsa 2018-ta është një kulm historik suksesi.
Zhvendosja e objektivit të luftës nga bimët tek kriminelët është thelbi i suksesit.
Të nderuar pjesëmarrës,
Shumica juaj kanë të drejtë legjitime të ndihen sot krenarë për këtë arritje të madhe. Krenarë duhet të ndihen punonjësit e policisë shqiptare, ata të policisë italiane, të Rojës Financiare të Italisë, ekspertët e TAIEX në BE, diplomatet e vendeve mike e partnere, prefektët, mësuesit, gazetarët, punonjësit socialë, ata të bujqësisë, të mjedisit, të arsimit, të shëndetësisë, drejtuesit dhe administratorët e pushtetit vendor, shoqëria civile, të gjithë qytetarët e Shqipërisë.
Ne kemi arritur së bashku fitore në një betejë të rëndësishme, e cila na krijon besim dhe shpresë se, përmes bashkimit të gjerë të energjive tona ne mund të arrijmë të fitojmë luftën e vërtetë që është integrimi europian i Shqipërisë.
Sigurisht që ne nuk mund të ndalojmë këtu. As kundër kanabisit as kundër veprimtarive të tjera kriminale.
Shumë beteja të tjera janë për t’u finalizuar.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe ajo kundër migracionit ilegal dhe trafikimit të qenieve njerëzore janë dy të tjera po aq të rëndësishme.
Operacionet e realizuara së fundmi, si ai për vënien përpara drejtësisë të të shumëkërkuarit Klement Balili, ato për goditjen e disa rrjeteve të tjera të trafikimit të drogës, Operacioni “Rruga e Gabuar” për goditjen e një rrjeti të madh e të rrezikshëm të trafikimit të qenieve njerëzore, që u krye në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë amerikane si dhe operacioni i djeshëm “Lulet e Pranverës”, që u krye në bashkëpunim me partnerët tanë italianë, provojnë së paku tri të vërteta të mëdha:
Së pari, ne kemi vullnet të padiskutueshëm. Pra, ne duam.
Së dyti, ne kemi kapacitete për këtë qëllim. Pra ne dimë.
Së treti, ne kemi mbështetje të madhe në këtë mision. Pra ne nuk jemi vetëm.
Unë dua të garantoj gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe gjithë partnerët tanë, përherë besnikë, se qeveria shqiptare, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe të gjitha institucionet e tjera janë të motivuara dhe të angazhuara maksimalisht për të çuar përpara me energji të re të gjitha reformat historike, si ajo e sistemit të drejtësisë, të modernizimit të PSH, të vetingut në polici dhe shumë të tjera, të cilat janë kushte të rëndësishme për realizmin e kryereformës sonë kombëtare që është ajo për Europën e vlerave tona.
Së fundmi, më lejoni ta mbyll fjalën duke dalë disi nga tema. Takimet më të gjata që kam zhvilluar gjatë këtyre ditëve të para të detyrës time si Ministër i Brendshëm kanë qenë ato me familjet e punonjësve të policisë të vrarë në krye të detyrës.
Kanë qene takime shumë të vështira, ku kam pasur rastin të prek nga afër një pjesë të rëndësishme të dhimbjes së këtij vendi. Shqipëria ka tragjikisht shumë heronj të policisë së saj në harkun e pak viteve.
Kjo vajza që po shikoni në foto, quhet Sonja. Ajo është vajza e një heroi të Shqipërisë. Babai i saj, Roland Lika, ishte punonjës i PSH që dha jetën në luftë me krimin më 19 tetor 2010.
Pikërisht sot, Sonja mbush dhjetë vite. Është hera e parë që ajo përjeton një festë të mirëfilltë të ditëlindjes së saj, të organizuar nga kolegët, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit. Ka udhëtuar nga Vlora për në Dardhë, sipas dëshirë së saj, për të përjetuar një ditë ndryshe nga fëmijëria e saj e trishtë.
Duke i uruar Sonjës jetë të gjatë e të lumtur, shpreh edhe solidaritetin e plotë me familjet e gjithë punonjësve të PSH të rënë në krye të detyrës si dhe angazhimin maksiml se MB dhe PSH do të bëjnë gjithçka është e mundur për të trajtuar me respekt familjet e heronjve të policisë si dhe për të vijuar me vendosmëri të palëkundur përpjekjet për një Shqipëri më lirë, të drejtë dhe të sigurte.
Sado probleme që mund të ketë PSH, ajo ka një trashëgimi të rëndë, por edhe shumë të çmuar. Gjaku i derdhur nga 224 heronjtë e saj është një thirrje e përjetshme për besnikëri ndaj qytetarëve të këtij vendi, të cilët i besojnë asaj gjënë më të çmuar, jetën dhe sigurinë e fëmijëve të tyre.
Dhe përballë kësaj thirrjeje të përjetshme ne kemi vetëm një alternativë:
Të fitojmë besimin e qytetarëve, për të mundur që të fitojmë edhe betejat e përhershme me të keqen kriminale të këtij vendi.
Faleminderit!