Duket se Berisha, në tentativë për të denoncuar rastin e së miturës në Kavajë, ka rënë në grackën e tij. Procesverbalet e Policisë së Kavajës janë dokumentet të cilat vërtetojnë se çfarë ka ndodhur në gjithë këtë ngjarje.
Ato nxjerrin blof ish-kryeministrin Sali Berisha, lidhur me abuzimin seksual në Kavajë. Nga procesverbalet e firmosura dhe nga avokatët dhe prindërit e abuzuesve, rezulton se djemtë kanë qenë në qeli që në datën dy, pra një ditë para se Berisha ta publikonte në Facebook.
Sikundër duket qartë edhe nga postimi i Berishës në rrjetin social, ai e ka denoncuar ngjarjen në datën 3 shkurt.
Sakaq, raporti nga salla operative e Drejtoria e Policisë së Kavajës mban datën 02.02.2019, dhe theksohet se në orën 08.30 në Komisariatin e Policisë së Kavajës janë shoqëruar 7 adoleshentët. Shoqërimi i tyre është bërë nga Policia Kriminale në bashkëpunim me Policinë e Rendit, dhe për këto shoqërime është njoftuar shefi dhe zëvendës shefi i komisariatit. Në një tjetër procesverbal, i mbajtur posaçërisht për një prej adoleshentëve të ndaluar, janë specifikuar të gjitha hapat e ndjekur.
Më datë 1 shkurt gjykata ka lëshuar urdhër arrestet, dhe në datën 2 shkurt; 7 nga 8 abuzuesit ishin në qeli. Postimi i Berishës është bërë vetëm pasi të gjitha procedurat ishin kryer dhe të miturit ishin në qeli.