Nga: Anxhela Ferra
“DH Albania” ishte kompania fituese e lotit të parë të “Unazës së Madhe”, pjesë e segmentit nga Pallati me Shigjeta deri te Sheshi Shqiponja. Por, që prej fillimit të muajit dhjetor, punimet janë ndërprerë. Kjo pasi u zbulua që kompania në fjalë dyshohet së ka falsifikuar dokumentet pjesëmarrëse.
Gjë që bëri që tenderët të anuloheshin. Ndërkohë ARRSH ka mbyllur procesin e ofertave të ardhura nga kompanitë që kanë marr pjesë në garë për këtë lot. Prej të cilave vetë Autoritetit Rrugor ka njoftuar se bëhet fjalë për 6 kompani që garojnë për tenderin.
Por, teksa ende pritet të shpallet fituesi ky segment rrugor ndodhet në gjendje kaotike. Këtë gjë e konfirmojnë vetë banorët, të cilët thonë për Tirana Today se ndjehen të rrezikuar.
“Ndodhi si ndodhi me kompaninë e parë, tani duhet të merren masat që njerëzit të ecin si njerëz. Dhe jo të ecim sikur jemi nëpër malet si dhitë. Unë që jam i rritur kaloj me shumë tmerr. kurse njerëzit që janë me aftësi të kufizuara, gratë me fëmijë të vegjël me karrocë e kanë të pamundur të kalojnë lehtë. është shumë e pasigurt, jo vetëm natën por edhe ditën. Bashkia a qeveria të kujdeset për këtë rrugë që të paktën të bëhet e sigurt për këmbësorët.”
“Këtu filloi shembja para Vitit të Ri dhe prej atëhere kështu ka mbetur. Por, ne nuk jemi në Bagdat, jemi në kryeqytetin e Shqipërisë. Dhe e dyta, rruga më e gjerë në shkallë Republike është Unaza e Re. është turp që është në këtë gjendje. Ndriçim nuk ka, e kemi me frikë të ecim në këtë rrugë.”
“Gjëndja është shumë e rëndë, si të mos shqetësohemi ne. Nuk ka asnjë ndriçim dhe gjithandej është me gropa dhe çfarë ka mbetur nga punimet.”
“Pamjet flasin vetë, sa e nevojshme është të themi ne që kjo rrugë nuk është normale. A ju duket normale juve të kalosh në këtë gjëndje?! është skandaloze dhe më minimalja mungon këtu, ndriçimi.”
Veç këmbësorëve gjendja e rrugës në zonën e Unazës së Re, shqetëson edhe drejtuesit e automjeteve. Këta të fundit ankohen se mungesa e sinjalistikës dhe ndriçimit rrezikon shkaktimin e aksidenteve.
“Është shumë e rrezikshme, sidomos natën. Kjo pasi dhe këmbësorët kalojnë vend e pa vend, shumica e shoferëve nuk respektojnë as vizat e bardha. Por, më i domosdoshëm është ndriçimi dhe të vendoset sinjalistika e plotë.”
“Shih si e kanë ngushtuar rrugën, e kanë bërë të pakalueshme. Pse nuk i çojnë ne vendin e vetë këto betonat? Nëse kalon natën këtu të ha ujku, të shtyp makina e nuk merret vesh. Janë përplasur kur kanë qenë dritat, jo më tani që është errësirë. Këta e kanë mëndjen si të vjedhin diçka, nuk e kanë qëllimin si të bëjnë mirë për popullin. Dhe kush i vuan pasojat e papërgjegjshmërisë së tyre?! Ne.”
Ndërkohë prej më shumë se dy muajsh, banorët e Astirit vijojnë me protestat e pandërprera, kjo pasi preken nga projekti i “Unazës së Madhe”./TIRANA TODAY