Pas refuzimit nga presidenti Ilir Meta të Gent Cakaj si ministër i Jashtëm, reagimi i parë është përcjellë nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ku e ka përgëzuar në lidhje me këtë vendim. Ai shkruan në Facebook se Kosova ka figura të shquara e me dinjitet, që do ta vazhdonin traditën e ministrave nga Kosova në Qeverinë shqiptare. Me tone ironike, Selimi i drejtohet kryeministrit Rama se zgjedhja ka qenë e gabuar, dhe se kishte alternativa më me vlerë.
Pak më herët, Meta refuzoi të dekretojë Gent Cakajn për ministër të Jashtëm të Shqiperisë. Pasi mori informacionin e nevojshëm përpara se të shprehej me dekret, presidenti Meta ka dalë në përfundimin se Cakaj nuk plotëson kushtet, dhe nuk krijon besueshmëri.
Gent Cakaj u propozua nga kryeministri Edi Rama për postin e ministrit të Jashtëm, për të zëvendësuar ish-ministrin Ditmir Bushati.