AA-Instant

Dashuria mbi gjithçka! Ja monarkët që braktisën fronin mbretëror për njeriun e zemrës

               Publikuar në : 14:03 - 10/01/19 S.N

Ëndrra klasike e shumë vajzave është të martohen me një princ, dhe të jenë pjesë e një familje mbretërore. Por disa monarkë, kanë braktisur gjithçka pikërisht për hir të dashurisë së tyre. Pak ditë më parë, mbreti malajzian, Muhamedi V, abdikoi nga froni pas vetëm 2 vitesh, vetëm për t’u martuar me modelen ruse Oksana Voevodina.

Në shtatorin e vitit 2017, princesha Mako e Japonisë, vendosi të heqë dorë nga statusi i saj mbretëror, për t’u martuar me një njeri të thjeshtë, me të cilin ra në dashuri, për shkak të “buzëqeshjes së tij të ndritshme si dielli”.

Ndërkohë rasti më i bujshëm i përket mbretit të Britanisë së Madhe, Eduardit VIII, që u ngjit në fron në janarin e vitit 1936. Ai ishte i dashuruar marrëzisht me amerikanen Uollis Simpson. Përveçse ishte një njeri i thjeshtë, ajo ishte martuar 2 herë të tjera, dhe prej martesës së fundit nuk kishte marrë ende divorcin. Familja mbretërore,  nuk mund ta pranonte një bashkim të tillë. Në këto kushte, Eduardi bëri zgjedhjen e zemrës, duke abdikuar dhe duke ia kaluar fronin të vëllait, mbretit Xhorxhi VI, babait të mbretëreshës aktuale Elizabet.

Historia e dashurisë mes Uollis dhe Eduard, ka frymëzuar regjisorët për të realizuar filma, dhe ka bërë që të shkruhen shumë libra.

Kthehu