Më 11 prill 2017 kur ekipi i Borussia Dortmund ishte duke u larguar nga hoteli për të zhvilluar ndeshjen e Champions League, ndaj autobusit të tyre u bë një sulm me bombë. I akuzuari për këtë sulm ishte Sergej W, i identifikuar i tillë pasi e tillë është rregullorja gjermane për ruajtjen e privatësisë.
Gjykata e qytetit të Dortmund ditën e martë ka marrë vendimin për rastin në fjalë dhe atentatori është dënuar me 14 vite burg për vrasjen në tentative të 28 personave. Nga sulmi me bombë u plagos mbrojtësi i atëhershëm i Dortmund Marc Bartra dhe një oficer policie.
Prokurorët janë shprehur se Sergej W mori para borxh për të vënë një bast se aksionet e Dortmund do të uleshin në vlerë, më pas vendosi bombat pranë autobusit dhe u mundua ta fshinte si një akt terrorist islamik.