Nga Lirio Abbate “La Reppublica”/ Puna e gazetarëve, është një “vaksinë” kundër injorancës dhe lajmeve të rreme, e nevojshme që një mendim i informuar dhe i përgjegjshëm, të prodhojë antitrupa. Por është një “pilulë” që nuk u pëlqen të gjithëve, veçanërisht politikanëve dhe të fuqishmëve, që kanë diçka për të fshehur. Është puna e ndriçimit të fakteve të fshehura, ose e nxjerrjes në dritë të episodeve të varrosura në kujtesë.
Më shumë se një herë në të kaluarën, është shndërruar disi në të vërtetën e një vendi, Italisë, që gjithnjë e më shpesh duket se ka frikë ta njohë atë. Tundimi për të zhdukur kujtesën është i fortë. Ashtu si edhe reagimi ndaj gazetarëve që kryejnë detyrën e tyre:të informojnë.
Ata në pushtet, shohin tek media e lirë rrezikun e ruajtjes së mbështetjes, dhe prandaj gjithmonë nisin të përdorin lajkat, apo edhe kërcënimet, gjithnjë besnikë të maksimës:”Ai që nuk është me ne, është kundër nesh!. Ky është një tundim, të cilit nuk i kanë shpëtuar edhe personazhet të shndërruara tashmë në legjendë si Xhon Kenedi.
Kur erdhët, ishim këtu; kur të largoheni, do jemi këtu sërish!
Xhejms Reston, “kolumnist” i famshëm i “The New York Times”, komentator prej më shumë se 30 vjetësh i ngjarjeve të mëdha botërore, iu përgjigj kështu presioneve të Xhon Ficxherald Kenedit dhe “klanit” e tij:”Kur ju erdhët, ne ishim këtu; dhe kur të largoheni, ne do të jemi këtu sërish” (Megjithatë Kenedi nuk ëndërronte vdekjen apo papunësinë e gazetarëve).
“Demokracia nuk është e mundur me mediat”- thotë president turk Erdogan. Një model shtetëror, që i përjashton kritikat. Kjo është arsyeja, se pse epigonët e tij italianë na sulmojnë. Teorema është:media është e pavarur nga qeveria, kësisoj është kundër popullit. Dhe duhet të delegjitimohet.
Dhe kështu, kur flasim për gazetarinë investigative, mund të mendohet për gazetarët italianë që zbardhin fakte dhe histori që sundimtarët e fuqishëm në vend, do të donin të mbeteshin në harresë, apo për gazetarët amerikanë, ata që e interpretojnë punën e tyre, sikur e mendojmë ne, në mbrojtje të shoqërisë, duke hetuar dhe monituar përmes raportazheve dhe investigimeve, pushtetin:të aftë të sfidojnë edhe presidentët e tyre, apo të nxjerrin jashtë loje politikanë dhe kandidatët për Shtëpinë e Bardhë.
Ata gjejnë lajme mbi trafikun e paligjshëm, që përfshin biznesmenë apo guvernatorë, i publikojnë dhe ecin përpara, për shkak se ata kanë mbështetjen e lexuesve, të opinionit publik që ka besim tek ata, të gazetave më me ndikim. Është roli, themelor në një shoqëri autentikisht liberale, i “qenit roje” të qytetarëve, i zhvilluar në një mënyrë me më pak kufizime.
Por sot shumëçka po ndryshon për keq, në balancën demokratike të vendeve perëndimore. Javën e kaluar, gazetarja bullgare Viktoria Marinova, gazetare e televizionit privat RNA, u përdhunua dhe më pas u vra në një park në periferi të qytetit, ku ishte duke bërë joga.
Puna më e fundit e paraqitur nga Marinova në televizion, ishte një investigim gazetaresk mbi një mashtrim gjigant, në lidhje me shpërdorimin e fondeve evropiane. Gazetarët bullgarë, që janë në dijeni të këtij skandali janë kërcënuar. Ajo ishte e vetmja, që pati guximin të fliste për këtë gjë në një program televiziv.
Dhe mbi të ra gishti i atyre, që nuk donin të hidhej dritë mbi këtë realitet të errët. Siç zbulohet nga një raport i “Reporterët pa kufij”, botuar në korrikun e kaluar, gazetarët bullgarë u nënshtrohen presioneve të të gjitha llojeve:kërcënimeve, paralajmërimeve të tipit mafioz, fushatave shpifëse.
Në indeksin botëror të lirisë së shtypit, Bullgaria vazhdon të bjerë vit pas viti, dhe tani ka rezultatin më të keq në Bashkimin Evropian, në vendin e 111-të nga 180 vende. Vrasja e Viktoria Marinovës, është e treta që ndodh brenda një viti në një vend të Bashkimit Evropian. Një fakt alarmues për të gjithë. Një vit më parë në Maltë (16 tetor 2017), u hodh në erë në makinën e saj Dafne Karuana Galicia, dhe disa muaj më vonë (21 shkurt 2018), u vra në Sllovaki gazetari investigative, Jan Kuçiak.
Dafne po grumbullonte informacion për një hetim mbi krimin dhe korrupsionin e autoriteteve malteze, dhe ende sot nuk ka ende një zbardhje të plotë të këtij krimi. Sllovakia, ku punonte Jan Kuciak, është një vend i Bashkimit Evropian, ku politikanët në qeveri nuk hezitojnë të sulmojnë hapur median.
Mjafton të kujtohen fjalët “jeni prostituta të ndyra anti-sllovake” të ish-kryeministrit
Robert Fiko, që asokohe kishte presidencës e rradhës së BE-së, kur gazetarët e pyetën për menaxhimin e fondeve publike. Vrasja e Jan Kuçiak, 27 vjeç, një nga gazetarët më të mirë investigativë të vendit, shënoi një pikë kthese në historinë e gazetarisë sllovake.
Sot është e nevojshme të rishikohet me një sy ndryshe, zhdukja e dy gazetarëve në vitin 2008 dhe 2015, për të cilët policia nuk i ka dhënë ndonjë shpjegim familjarëve të tyre dhe opinionin publik. Sot duket më e mundshme të flitet për rastet e “lupara bianca” (vrasje dhe zhdukje e trupit të viktimës), duke pasur parasysh praninë e fortë në territor të klaneve kriminale, që përdorin metoda vërtet mafioze.
Kuçiak po hetonte një evazion fiskal në shkallë të gjerë, dhe punonte për portalin “Aktuality.sk”. Në vitet e fundit mediat sllovake, TV, radio dhe gazeta, të cilat i përkisnin grupeve të huaja, iu shitën biznesmenëve të fuqishëm sllovakë, dhe tani kontrolli i oligarkëve ndaj medias, po bëhet më e fortë.
Në vendin tonë, pas sulmeve dhe Luigi Di Maios ndaj revistës “L’Espresso” dhe gazetës “La Reppublica” është Federata Kombëtare e Shtypit, e cila po i thotë politikës:”Larg duart nga informacioni!”. Për sekretarit të përgjithshëm të FNSI, Rafaele Loruso gazetarët italianë janë të gatshëm të mobilizohen kundër sulmeve ndaj Kushtetutës, pasi “kjo është një përpjekje e vazhdueshme për të dobësuar demokracinë, dhe ndaj së cilës duhet të reagojmë të bashkuar”. Gjithashtu dakord është edhe kreu i Unionit të gazetarëve, Xhuzepe Xhulieti, për të cilin “nevojitet një nismë e madhe publike”. Për të vazhduar të jemi gazetarë të lirë.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce