Mustafa Lici, vëllai i Fatbardh Licit, i cili u vra në Shkodër, ka dhënë një deklararatë të fortë, ku akuzon shtetin se bashkëpunon me bandat kriminale. Ai ka thënë ndër të tjera se kanë tre javë të ngujuar, jo nga bandat, por nga vetë shteti. Po kështu, Mustafa Lici nuk nguron të hedhë akuza të rënda në lidhje me manipulimin e provave, e për këtë do i drejtohen gjykatës së Strasburgut.
“Pas vrasjes se Ferracakut, kanë ardhur kanë marrë në banesë djalin 15-vjeç të ngujuar. Jemi në trysni nga bandat që kanë bërë para me lekët e krimit. Ne kemi 3 javë të ngujuar, jo nga bandat, po nga shteti.
Për çdo vrasje po manipulohen provat. Sa ndodh ngjarje në Shkodër, kapen personat e kësaj familje. Do i drejtohemi Strasburgut. Nuk na trembin as shteti, as bandat. Qëndrojmë të ngujuar se e kemi kuptuar se ky shtet po lufton ndaj nesh”, ka qenë kjo deklarata e Mustafa Licit.
Fatbardh Lici, 53-vjeç, u vra me armë zjarri në qytetin e Shkodrës. Viktima ka qenë duke pirë kafe në shoqërinë e dy personave të tjerë, kur nga një mjet tip “Benz”, pa targa, ka dalë një person që ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të 53-vjeçarit, duke e lënë të vdekur në vend.
Autorët janë larguar me shpejtësi, dhe në zonën e Dobracit kanë djegur automjetin me të cilin kanë kryer vrasjen.
15 plumba janë zbrazur mbi 53-vjeçarin Fatbardh Lici, pak metra larg banesës së tij, në një lokal në lagjen “Guerile”. Policia po heton në pistën e gjakmarrjes, pasi 53-vjeçari ishte i përfshirë në vrasjen e Astrit Kurmemajt 7 vite më parë.
Kohët e fundit, Shkodra është tronditur nga krimet mafioze, ku kryhen vrasje të dhunshme e të frikshme dhe gjithnjë pa autor.