Shqipëria po tkurret çdo ditë. Shumë të rinj po largohen nga vendi dhe numri i të moshuarve po rritet. E gjithë kjo ka ardhur si pasojë e rënies së lindshmërisë por edhe emigracionit. Në fillim të vitit 2017, ishin 8 mijë persona më pak se projeksionet e popullsisë së variantit të mesëm që lëshoi INSTAT për periudhën 2011-2031.
Numri i lindjeve ishte 8% më i ulët se pritshmëritë dhe rënia e popullsisë në grupmoshën deri në 15 vjeç ra gjithashtu me shpejtësi.
Forca e punës do të vihet në alarm pas 10 vitesh për zëvendësim, teksa vendi nuk po përgatit as infrastrukturën ligjore për të moshuarit dhe politika shtesë për stimulimin e lindjeve dhe frenimin e emigracionit.
Në fillim të vitit 2017, popullsia ishte 8 mijë persona më pak se parashikimet e INSTAT-it për këtë vit, sipas të dhënave zyrtare. Rënia në raport me pritshmëritë ka qenë më fatale për grupmoshën 0-15 vjeç, ku tkurrja ka qenë me 10 mijë të rinj më pak sesa pritej.
Por, një grua 31-vjeccare nga qyteti i Lushnjës ka lindur fëmijën e saj të tetë. Ajo ka lindur një djalë të shëndetshëm, ndërsa është nënë e pesë djemve dhe tre vajzave.
“Mirë i kam pas, nuk kam vuajtur shumë nëpër spitale. Vetëm atë të voglin e kam pak alergjik”, thotë Lulije Abiu, nëna e tetë fëmijëve:
Ka qenë 21 vjeçe kur ka lindur djalin e parë dhe që prej asaj kohe asnjëherë nuk ka abortuar. Bashkëshorti i saj kërkon të ketë 10 fëmijë, ndaj ky çift nuk do të ndalet në numrin tetë.
“Janë punët e Zotit.” Fëmijën e fundit e ka lindur në shtëpi dhe gruaja nuk ka pasur frikë nga ky proces.
Në maternitetin e Lushnjes i është dhënë ndihma e menjëhershme dhe personeli mjekësor është habitur me lehtësinë e kësaj gruaje të re që solli në jetë fëmijën e tetë pa asnjë problem, transmeton abcnews.
“Kjo lindja e fundit me thënë të drejtën ka qenë shumë e kollajtë. Kam lindur në shtëpi dhe kam ardhur e lindur këtu.”
Infermierja: “Ka qenë lindur bebi. Pastaj kemi hequr këtu placentën, kemi përpunuar bebin.”
Lulija është nga Kukësi, kurse bashkëshorti i saj nga Dibra. Prej disa vitesh jetojnë në fshatin Mertish të Lushnjës.
Kryefamiljari merret me blegtori e ajo me bujqësi. Motrat dhe vëllezërit më të mëdhenj kujdesen për më të vegjlit. Lumturia më e madhe për këtë familje është shëndeti i fëmijëve. Asnjëherë ata nuk kanë pasur probleme serioze, pasi nëna të gjithë i ka ushqyer me qumësht gjiri.
“Edhe qumësht gjiri edhe kështu me qumësht lope, ngaqë i ka bërë shpesh…”
Në maternitetin e Lushnjes këtë vit numri i lindjeve është përgjysmuar në krahasim me një vit më parë.
Sipas statistikave, deri tani numërohen 517 lindje nga një mijë që kanë qenë në 2017-n. Ndaj, lindja e fëmijës së tetë nga një nënë 31 vjeçare përben një rast unik në kohën që po jetojmë, pasi nënat e reja nuk lindin më tepër se dy fëmijë.