Renditja e përgjithshme e FIFA-s për muajin gusht ka plot surpriza, pasi vjen pas një Botërori i cili ‘shkatërroi’ ekipet e mëdha dhe ‘ngriti në qiell’ të voglat. Është Franca në majën e botës dhe sigurisht që at kanë marrë edhe kryesimin e renditjes, ndërsa në vendin e dytë është Belgjika e cila i merr vendin Brazilit duke e spostuar në vendin e tretë.
Kroacia është kombëtarja që ka bërë një hap ‘gjigant’, pasi u shpall nënkampione bote ata kanë rikuperuar 16 vende dhe tashmë pozicionohen në të katërtin. Zhgënjimi më i madh në “Rusi 2018” ishte pa dyshim Gjermania, që nga maja e klasifikimit (vendi i parë) ka rrëshqitur në vendin e 15-të.
Shqipëria dhe Kosova ruajnë statuskuonë në renditjen e përgjithshme të FIFA-s për muajin gusht. Kuqezinjtë dhe “Dardanët” për faktin se nuk kanë zhvilluar asnjë ndeshje gjatë pjesës së dytë të qershorit (renditja paraardhëse është bërë më 7 qershor, para nisjes së Botërorit), mbeten në të njëjtat pozicione, pikërisht në vendin e 58-të të dhe të 141-të.