24-vjeçari Ritvan Zykaj, në mënyrë kategorike nuk ka shprehur pendesë për vrasjen e 8 të afërmve të tij, gjatë marrjes në pyetje në polici. I riu ka pranuar krimin e rëndë, dhe ka kërkuar avokat mbrojtës.
“Unë i vrava, më gjeni avokat se nuk dua të më vrisni. Viktimat më akuzonin për çdo gjë, unë s’kam vjedhur asnjë pulë. Edhe ju më akuzoni për çdo gjë”, ka thënë ai para grupit hetimor, në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se shkak i masakrës ka qenë sherri për motive banale, atë të vjedhjes së pulave. Mes tij dhe kushërinjve të vrarë mendohet se ka patur konflikt për pulat.
https://tiranatoday.com/masakra-me-8-viktima-ne-selenice-pas-vrasjes-autori-filmoi-viktimat/
Familjarët janë shokuar kur kanë parë ato pamje të llahtarshme. Shtatë kufoma në oborr, e në shkallët e shtëpive dhe e teta në kuzhinë, pranë tavolinës së bukës. Aty është gjetur djali 8-vjeçar i Besim Zykajt, i cili ka qenë duke u ushqyer në momentin që është qëlluar me 3 plumba nga kushëriri i tij. Ritvan Zykaj nuk i ka kursyer plumbat as për të.
24-vjeçari, në revoltë e sipër, pasi ka vrarë ata që ndodheshin jashtë e të tjerët që dilnin pasi dëgjonin krismat, është futur brenda duke qëlluar për vdekje edhe Ledjonin.
Ai është gjetur i pajetë pranë tavolinës së bukës, me duart e mbledhura te koka. Vrasësi nuk e ka menduar dy herë, por e ka qëlluar të voglin tre herë, në bark, në krah e në këmbë. Ledjoni është gjetur nga kushëriri i tij, djali i xhaxhait. E më pas edhe nga një i afërm tjetër që kishte shkuar aty për ta takuar. Kushëriri i katërt i familjes Zykaj, shok i njërit prej të mbijetuarve, tregon sesi i kanë gjetur viktimat.
“Unë isha në gjumë kur ndodhi ngjarja. Kur u zgjova, nëna më tha se kishte dëgjuar të shtëna në fshat, por nuk e dinte se nga ku. Dola sepse e kisha lënë të takohesha në Selenicë me djalin e Azemit. As ai nuk ka qenë në shtëpi në kohën që ka ndodhur ngjarja.
Kur shkova te vendi që e kishim lënë të takoheshim, nuk e gjeta. Më thanë që kishte shkuar në shtëpi. U nisa edhe unë për atje”, tregon i afërmi i familjes Zykaj.
“Kur kam shkuar aty, ishte e tmerrshme. Të gjithë ishin të vrarë. Nuk kishte mbijetuar askush, përveç djalit tjetër të Demir Zykajt, Krenarit, 51 vjeç. Ai është shurdhmemec dhe nuk ka dëgjuar krismat. Ka qenë në gjumë brenda në shtëpi, por ka shpëtuar. Të tjerët ishin vrarë të gjithë. Edhe Sara, edhe Ledjoni i vogël. Ledjonin e ka vrarë duke ngrënë bukë. Ishte një masakër e vërtetë”, tregon kushëriri për “Panorama”.
Më tej, ai thotë se ka dëgjuar sirenat e policisë, pasi i kishin lajmëruar para se të shkonte ai në shtëpi. Ndërsa me autorin thotë që për çështje sekondash nuk është përballur në rrugë me të.
“Në atë kohë që ka ndodhur vrasja, disa sekonda më vonë unë kam dalë nga shtëpia. Fatmirësisht, nuk e kam ndeshur në rrugë. Unë nuk e njihja, sepse kam jetuar jashtë, pak kohë ka që jam kthyer”, shprehet ai.
Zykaj u arrestua rreth 12 orë pas tragjedisë në fshatin Resulaj të Selenicës, në Vlorë. Ai u gjet i fshehur në një stan, rreth orës 05:00 të mëngjesit. Ritvan Zykaj qëlloi me breshëri ndaj kushërinjve të tij të parë, mes të cilëve edhe dy fëmijë. 24-vjeçari zbrazi dy karikatorë mbi vëllain e gjyshit të tij, Demir Zykaj dhe gruan e 75-vjeçarit, Perije Zykaj.
Viktima mbetën edhe dy djemtë e Demirit, Azem dhe Besim me nuset Afërdita dhe Vasilika, si dhe fëmijët e Besimit Sara Zykaj 16 vjeç, dhe Ledion Zykaj 8 vjeç. Sipas disa raporteve, thuhet se Zykaj është person me probleme mendore, ndërsa të tjerë pohojnë se është përdorues droge. Asnjë prej këtyre dy të dhënave nuk është e konfirmuar zyrtarisht.