Përmbytja e Bibliotekës Kombëtare, nuk u shkaktua nga “shiu biblik” që ra disa ditë më parë, por nga lënia pas dore një kohe të gjatë.
Pak kohë më parë, Biblioteka Kombëtare u përfshi nga flakët, që dogjën shumë libra. Sërish i njëjti “qetësim” i opinionit publik: Nuk u prek fondi i veprave të rralla!
Mësohet se përmbytjes i ka shpëtuar fatmirësisht edhe albumi vetjak me skica, që Edi Rama ia dhuroi bibliotekës më 2016-ën, duke premtuar investimet më të mëdha në 25 vite.
Sigurisht që kjo s’ka ndodhur. Madje nën ethet e betonit dhe kullave, flitet për transferim të BK në një godinë rrëzë Dajtit. Ka kohë që kultura ka pushuar së qeni një prioritet për qeveritë në Shqipëri, dhe kjo ndodh ironikisht edhe kur vendin e drejton një ish-ministër i Kulturës.
Dikur pjesë të caktuara të Tiranës përbënin trashëgimi kulturore, dhe mbroheshin nga ndërtimet pa kriter, por sot jo më.
Në 5 vitet e fundit, ministrja Mirela Kumbaro ka hapur më shumë sesa zgjidhur probleme.
Vjet bëri bujë skandali i lejes së ndërtimit të një restoranti në Butrint, ndërsa shumë monumente kulture janë lënë të shemben.
Së fundmi, ajo ka shmangur llogaridhënien për çështjen e Teatrit Kombëtar, duke ia lënë këtë në dorë Erion Veliajt, dhe makinerisë së tij propagandistike.
Në “Vitin e Skënderbeut”, supozohej që “Skënderbeu” i sotëm siç njihet në radhët e socialistëve Edi Rama, të shkëlqente në ruajtjen dhe forcimin e trashëgimisë historike dhe kulturore të vendit.
Mjerisht, ai po shkëlqen vetëm për ruajtjen me fanatizëm të pushtetit të vet arrogant.
TIRANA TODAY