Kryeministri Edi Rama autostrada Tiranë-Durrës do të bëhet me pagesë, ndërsa rruga e vjetër nga Ndroqi do të jetë rrugë alternative pa pagesë. Deklarata e kryeministrit u bë sot pasdite në qytetin e Durrësit gjatë turit të tij të llogaridhënies së qeverisë.
Sipas Ramës autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet, për t’i shërbyer tha ai, metropolit të përbashkët mes dy qyteteve dhe zhvillimit të turizmit.
“Kjo mbledhje e qeverisë për këtë muaj u spostua në Durrës sipas traditës që kemi filluar, do të ndalemi tek gjërat për të cilat ka interes ky qark. U miratua dokumenti i gjithë ndërhyrjeve prioritare 2018-2021, i miratuan 100 projekte që do financohen nga buxheti i shtetit, që i bashkëngjiten 123 projekteve në vijim, si dhe projekteve nga donatorët e huaj në bashkëpunim me qeveritë vendore të këtij qarku. Është një paketë e konsiderueshme investimesh, që vjen pas mbi 400 investimeve të mëparshme që synojnë të shndërrojnë Durrësin në një portë të rëndësishme hyrëse, dhe një kryeqendër historike.
Përfshihen projekte që kanë të bëjnë me rrugët, jemi ndërkohë në një proces studimi dhe rivlerësimi për i ndërtimit dhe rizgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës, apo hapjen e rrugës së re Kashar-Rrogozhinë, si dhe zgjerimin e aksit nga Rrogozhina në Fier. Parashikohet rehabilitimi i plotë i rrugës Durrës-Shijak, sistemin e aksit Fushë-Krujë-Milot-Morinë. Jemi në një fazë të avancuar të një projekti të madh për rindërtimin e të gjithë rrugëve të brendshme dhe rikualifikimin urban të hapësirave publike brenda një blloku të konsiderueshëm në Shkëmbin e Kavajës.
Jemi afër përfundimit të proceseve për korridorin hekurudhor që do lidhë Durrësin me Tiranën dhe Rinasin përmes një linje të re të standardeve europiane. Parashikohen edhe një sërë investimesh që lidhen me qendrat shëndetësore, furnizimin me ujë, rindërtimi i godinës së pediatrisë në spitalin e Durrësit, rikonstruksion i dhjetëra shkollave, etj. Në Durrës janë 6 fshatra pjesë e programit të 100 fshatrave. Po kështu kemi edhe një program për financimin e agro-turizmit”, tha kryeministri Rama.
Ai u shpreh ndër të tjera se projekti i mirëmbajtjes së autostradës Tiranë-Durrës pritet të përfundojë brenda qershorit.
“Na është dashur një periudhë e vogël për të sistemuar projektin, kontratat. Do të mbarojë besoj i gjithë riparimi i rrugës nga Kashari në Durrës, në pikat kritike deri në fund të qershorit. Do punohet ditën dhe natën”, deklaroi Rama