Edhe pse snobohen nga politikanët kur nuk janë në favorin e tyre, sondazhet, diktojnë ende kursin e partive politike kryesore. Partia Demokratike po e drejton e vetme kauzën e fundit për të imponuar largimin e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
LSI është treguar e matur në qëndrimin e saj mbi video-përgjimin Xhafaj-Veliu, duke kërkuar një hetim të paanshëm. Distancimi midis dy partive kryesore të opozitës, vjen vetëm pak ditë pas publikimit të një sondazhi nga fondacioni gjerman, Konrad Adenauer, sipas të cilit të gjitha forcat politike shënojnë rënie të mbështetjes nga ana e qytetarëve, por çuditërisht pjesa më e madhe e saj nuk i përkiste PS, si forca e vetme qeverise në këtë mandat, por PD-së dhe pas saj LSI.
Mbi 96 për qind e demokratëve shpreheshin kundër koalicionit që Lulzim Basha ka lidhur me drejtuesen e LSI, Monika Kryemadhi. Ata vazhdojnë të besojnë se ishte LSI, që e tkurri bazën elektorale të PD gjatë bashkëqeverisjes mes të dyve në vitet 2009-2013, duke konsumuar shumë akte korruptive, dhe duke mos marrë asnjë kosto, por duke kaluar në kampin tjetër për të qëndruar edhe 4 vite të tjera në pushtet me PS. Edhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim, dalja në opozitë dhe futja në një koalicion opozitar me PD, nuk ka kaluar pa kosto.
Dhjetëra këshilltarë socialistë në disa nga bashkitë kryesore janë larguar drejt PS-së, ndërsa më shumë se një e treta e deputetëve të grupit parlamentar të LSI, janë gati të largohen për shkak të kundërshtimit të opozitarizmit agresiv fizik ndaj mazhorancës aktuale.
Edhe pse do të jenë bashkë në protestën e opozitës më 26 maj në Tiranë, mbetet të shihet ky distancim është vetëm taktik. Nëse përgjimi rezulton i vërtetë, PD do të risë ndjeshëm besueshmërinë dhe për pasojë edhe mbështetjen elektorale, në të kundërt selia blu do të diskreditohet, dhe nga kjo e fundit pret të përfitojë LSI e Monika Kryemadhit.
TIRANA TODAY