Napoli nuk ka mundur të marrë më shumë se një barazim 2-2 përballë Torinos në “San Paoli”, që do të thotë edhe fundi i garës për titullin kampion, të cilin mund ta festojnë juventinët që nga ky moment. Megjithëse vendasit arritën të kalonin dy herë në avantazh, Torino gjeti dy herë golin e barazimit duke fundosur moralin e të kaltërve.
Napolitanët ishin dy herë në avantazh, por nuk arritën ti rezistojnë Torinos. Mertens vjedh një top mjaft të bukur në zonë nga këmbët e Burdisos dhe e dërgon në rrjetë. Por miqtë nuk dorëzohen dhe në minutën e 55’ barazon gjithçka pas një aksioni model dhe një goditjeje po aq të bukur nga Baselli. Kapiteni Marek Hamsik ka rikthyer avantazhin për të kaltrit në minutën e 71’ dhe Napoli vazhdoi të insistonte për një gol të tretë që do t’i jepte sigurinë por në minutën e 83’ Torino barazon përsëri falë golit me kokë të De Silvestri. Me këtë barazim Napoli thuajse është dorëzuar në luftën për titull.
Lazio dhe Atalanta janë ndarë në një barazim 1-1 që nuk është se u shërbente shumë të dyja skuadrave. Lacialët rihapën sërish garën për një vend në Champions League me Interin i cili shkatërroi Udinesen 4-0 në mesditë. Genoa dështoi në shtëpi përballë Fiorentinës, ku u mposht me rezultatin 2-3. Ishte një ndeshje e çmendur ku u realizuan dy përmbysje. Violat e mbyllën në avantazh pjesën e parë, por vendasit përmbysën gjithçka në pjesën e dytë. Më pas një karton i kuq bëri gjithcka më të lehtë për Fiorentinën që riktheu sërish avantazhin në favorin e saj.SPAL ka marrë një fitore mjaft decizive në garën për të qëndruar në Serie A edhe për një sezon përballë Beneventos me rezultatin 2-0. Ndërsa Chievo ka mposhtur Crotonen në shtëpi duke e kthyer në një luftë të vërtetë mbijetesën. Tashmë janë pesë ekipe që luftojnë për të qëndruar në Serie A kur janë edhe dy ndeshje për tu zhvilluar.