Kampionati Shqiptar është futur në fazën më të rëndësishëm të tij. E gjithë vëmendja është fokusuar tek super sfida mes Kukësit dhe Partizanit që do të luhet në stadiumin “Zeqir Ymeri”.
Kampionët në fuqi të drejtuar nga Peter Pacult, po kalojnë një moment pozitiv duke blinduar vendin e dytë. Ndërkohë, Partizani me ardhjen e trajnerit Klevis Dalipi ka treguar qëndrueshmëri dhe rezultate të kënaqshme duke u renditur në vendin e 3-të në tabelën e klasifikimit.
Kjo sfidë shikohet jetike dhe përcaktuese për të dyja ekipet me qëllim arritjen e objektivit sa i takon zonës Evropiane. Një 90 -minutësh tjetër jetik për fatet e mbijetesës është padyshim përballja mes Teutës dhe Vllaznisë. Të dyja ekipet vijnë me moralin e lartë pasi nuk humbasin prej 5 takimesh.
Teuta gjendet aktualisht në zonën e rrezikut dhe do të tentojë maksimumin ndaj një rivali direkt si Vllaznia. Në krahun tjetër janë shkodranët të cilët kanë rilindur dhe me një super Xhevahir Sukaj nuk duhen nënvlerësuar për asnjë moment. Ndër takimet e tjera të programuara për të luajtur këtë javë janë; Skënderbeu-Kamza, Luftëtari-Laçi dhe Lushnja-Flamurtari.