Shqipëria është mposhtur me rezultatin e ngushtë 1-0 nga Norvegjia në “Elbasan Arena”, rezultat që nuk i shkon për shtat kësaj sfide pasi miqtë ishin dominues dhe kishin shanse të shumta. Ishte Strakosha i vetmi lojtarë kuqezi që tregoi një formë të lartë dhe bllokoi në disa raste sulmuesit nordikë edhe pse i vetëm përballë tyre. Grezda ishte një pikë tjetër bukurie në këtë sfidë, pasi bindi me lojën e tij dhe krijoi disa raste.
Pjesa e parë ishte një katastrofë e vërtetë për kuqezinjtë e Panuccit, të cilët ishin të shthurur në fushë dhe nuk arritën të godisnin një herë të vetëm portën e Norvegjisë. Edhe pjesa e dytë ka filluar me miqtë që kanë krijuar disa raste të njëpasnjëshme për gol, por mbrojtja jonë dhe pasaktësia e treguar nga lojtarët e Lagerbak ka bërë që rrjeta e portës së Strakoshës të mbetet e paprekur. Kundërpërgjigja e lojtarëve të Panuçi-t ka ardhur në minutën e 54-t. Xhaka ka dërguar topin në zonë nga një goditje këndi, e para për Shqipërinë, dhe i pari që ka mbërritur te sfera ka qenë Sadiku, goditja e të cilit me kokë ka përfunduar pak centimetra sipër traversës.
Norvegjia a befasuar kuqezinjtë me një sulm të shpejtë në minutën e 57-të, me Elyonoussi që ka dalë i vetëm përballë Strakoshës, me këtë të fundit që ka bërë një pritje të jashtëzakonshme me këmbë. Kuqezinjtë kanë qenë dukshëm në vështirësi dhe janë munduar të reagojnë me kundërsulme të shpejta, por tentativat e tyre janë ndalur me lehtësi nga mesfusha norvegjeze.
Ajeti ka pasur një rast për të shënuar gol, por tentativa e tij nga brenda zonës së rreptësisë është bllokuar nga mbrojtja norvegjeze. Në minutën e 65-të ka ardhur lajmi i parë i keq për Shqipërinë (dhe Napoli-n), me Hysajn që ka lënë lojën për shkak dëmtimi dhe është zëvendësuar nga Lika.
Lajmi i dytë i keq ka ardhur pesë minuta më pas, kur Rosted ka kaluar në avantazh norvegjezët me një goditje me kokë pas zhvillimit të një goditje nga këndi. Norvegjezi ka dalë fitimtar në dyluftimin me Ajetin dhe ka devijuar sferën aq sa duhej për të nxjerrë jashtë loje Strakoshën dhe për ta dërguar në rrjetë.
Në minutat e fundi, Norvegjia ka pasur një rast të pastër për të shënuar golin e dytë, por ka qenë përsëri Thomas Strakosha ai që i ka mohuar një tjetër gol bardhekuqve, të cilët gjithsesi e kanë mbrojtur deri në fund avantazhin dhe janë larguar me fitore nga Elbasani.