Florian Marku tashmë është i njohur nga të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm. Ai është nga Lushnja dhe ka ndërtuar një karrierë të madhe në kikbox dhe është duke i mahnitur të gjithë me paraqitjet e njëpasnjëshme në ring.
Për shkak të patriotizmit të theksuar, Marku është kthyer në një idhull për shumë të rinj shqiptarë. Në 43 ndeshje të zhvilluara në kikboks dhe 5 në kategorinë UFC, 26-vjeçari nuk njeh asnjë humbje.
Në një intervistë për “Albanian Fight Magazine” ai tregon historinë e jetës së tij duke nisur me kohën kur ka qenë në burg. Në fund zbulon edhe ëndrrën e tij si dhe kundërshtarin që dëshiron të ketë një ditë përballë.
Florian, në pasaportën tënde shkruhet se je nga Lushnja, por mbiemri Marku lë të kuptosh se ke një prejardhje tjetër. Nga cila krahinë është prejardhja juaj?
Nisur nga historia e familjes sime, di që gjyshi im është nga Kosova, por gjatë regjimit komunist ka qenë i internuar në Lushnjë, së bashku me shumë kosovarë të tjerë. Këtu ka jetuar edhe babai im. Prandaj unë kam lindur në qytetin e Lushnjës. Pas viteve ’90, familja ime emigroi në Greqi, duke u vendosur në Selanik.
Duke ditur karakterin tënd, gjatë fëmijërisë je grindur ndonjëherë me ndonjë bashkëmoshatar në Lushnjë?
Kam ikur që në moshën 7 vjeç nga Lushnja, por normal si fëmijë edhe un jam zënë. Ka pasur raste që kam goditur fëmijë të tjerë.
Sa i vështirë ka qenë fillimi i karrierës për të arritur te suksesi?
Normalisht që kam pasur shumë vështirësi. E kam nisur karrierën kur isha vetëm 11 vjeç, duke punuar shumë gjatë seancave stërvitore. Kam pasur shumë vështirësi, por ia kam dalë falë vullnetit e përkushtimit. Ky ka qenë vetëm fillimi, pasi ëndrrat e mia kanë qenë shumë të mëdha dhe mund të them se këto janë vetëm hapat e parë. Kam besimin në realizimin e një ëndrre të madhe dhe shumë të ndritur. Besoj shumë se do t’ia arrij që të dal kampion bote.
Përveç sportit, je edhe shumë i ndjekur në rrjetet sociale…
Po, me ndjekin mbi 130 mijë veta dhe i falënderoj shumë të gjithë.
Gëzon një formë të shkëlqyer, cili është regjimi juaj stërvitor?
E gjitha kjo formë vjen nga stërvitja e madhe që unë bëj. Asnjë gjë nuk vjen pa punë. Stërvitja intensive është thelbësore. Një kohë shumë të madhe i kushtoj kësaj pjese. Bëj vrap çdo mëngjes, punoj me thesin “Sparing” dhe me trajnerin George Armagos, bëj shumë raunde “Pau”.
Ku e nisët fillimisht karrierën dhe cilat ishin vështirësitë e para?
Fillimisht, karrierën e kam nisur në Greqi, në moshën 11- vjeçare dhe vështirësinë e madhe e kam pasur në moshën 18- vjeçare. Të them të drejtën, Greqia më ka përkrahur dhe nuk kam pasur probleme me prejardhjen apo kombësinë.
Ke fituar kundër grekëve, si je ndierë dhe çfarë reagimesh ka pasur në Greqi, pasi asnjëherë nuk e mohuar origjinën?
Me çdo kundërshtar, kur fitoj, ndjesia është shumë e madhe. Sigurisht që kur fitoj reagimi i grekëve është normal, ndonëse disa prej tyre nuk u gëzohen fitoreve të mia. Por, nuk kanë pasur se çfarë të thoshin. Isha më i miri në ring, kështu që asnjë nuk mundet të flasë të kundërtën.
Je grindur me ndonjë në Greqi jashtë ringut?
Si tip impulsiv, jam përfshirë gjithnjë në problemet që ka pasur shoqëria ime, kështu që nuk më kanë munguar sherret në Greqi.
Por, ke pasur dhe anë të tjera të hidhura, siç është burgu? Cilat kanë qenë arsyet që ke përfunduar mbrapa hekurave?
Nga sherret që bëja, kam përfunduar në burg. Pas një sherri ndodhi në Greqi, kam qëndruar një vit e gjysmë në burg. Burgun e kam bërë edhe në Austri, ku kam qenë në arrest për katër muaj dhe më pas më transferuan në Greqi, në burgun e Vjedhatas në Selanik ku kreva pjesën e mbetur..
Mund të na tregosh ndonjë nga historitë që të kushtoi burgun?
Po tregoj rastin sesi më arrestuan një ditë para ndeshjes. Sapo shkova në shtëpi, në Linz, erdhën e më arrestuan. Të nesërmen, unë kisha ndeshjen, por Interpoli i Austrisë, në bashkëpunim me Interpolin grek, pas informacionit të marrë nga Greqia për vendndodhjen time, më arrestuan në Linz. Më erdhi keq se isha në kulmin e karrierës. Nuk e prisja të më ndodhte kjo. Isha mjaft i njohur në Austri. Nuk më del nga mendja kur polici më tha: “Po ti çfarë bën këtu, unë kam prerë biletën për të parë ndeshjen?”. Kjo më kushtoi një vit e gjysmë jashtë ringut sa edhe fansat kujtuan se s’do rikthehesha.
Na thuaj diçka nga jeta në burg?
Atje brenda ke shumë kohë të rrish me veten tënde dhe të mendohesh thellë. Jam penduar për gabimet. Nga burgu unë mësova të kem më shumë durim e të mos grindem shpesh. Burgu në Linz të Austrisë ishte shumë i keq, pasi vetëm një orë ajrim kishim në ditë. Prej gati dy muaj e gjysmë kam qenë i vetëm në një dhomë 3×3 metra. Edhe pse isha i vetëm, unë stërvitesha atje në burg, pavarësisht se nuk kisha mjete stërvitore. Në burgun e Selanikut kalova më mirë, pasi kishte kushte edhe për stërvitje. Kohën e kaloja duke lexuar libra. Drita e diellit aty ishte më e pranishme.
Cilat janë momentet më të bukura të karrierës suaj?
Kam pasur shumë raste të bukura gjatë karrierës sime. Si momentin më të bukur kujtoj rastin kur mora rripin e parë botëror dhe kur fitova kundër një greku para 7 muajsh. Ishte fitorja kundër Bitakut në Greqi, e cila ishte dhe një ndeshje me shumë rëndësi dhe ndër më të mëdhatë të zhvilluara në shtetin helen. Gjatë dyluftimit me atë, unë theva gishtin, por nuk e lashë ndeshjen deri në fund, duke vazhduar me gishtin e thyer për të mos u dorëzuar. Më pas bëra operacion. Unë e kam për natyrë që nuk dorëzohem dhe nuk e braktis luftën.
Po momentet më të hidhura?
Shyqyr Zotit, gjatë karrierës sime s’kam pasur të tilla momente e raste të hidhura. Jeta ime është si një film.
Ke pasur momente që s’e ke dashur veten apo je gjithnjë optimist?
Jo, kurrë. Edhe në momentet më të këqija të jetës, sidomos në periudhat e burgut, veten time e kam dashur gjithmonë, me shpresën e madhe se një ditë do të isha dikush. Gjithmonë mendoja për mirë. Do Zoti të kem shëndetin dhe do të arrij atje ku dua.
Nga Greqia në Austri, pse kaluat atje?
Pasi përfundova burgun në Greqi, u rehabilitova përsëri me sportin ku më stërviste një trajneri grek, George Armagos, që unë dua ta përshëndes. Ai u bë shkak që unë të shkoja përsëri në Austri. Arsyeja ka qenë se më thirrën për ndeshje edhe qëndrova atje sepse më pëlqeu jeta dhe kushtet stërvitore.
A keni të dashur? Nëse po, a bëhet xheloze e dashura juaj kur largoheni për aktivitete?
Po, jam i fejuar. Xheloze… po, bëhet…(qesh). Por e marr gjithmonë me vete dhe, duke qenë pranë meje, largohet çdo xhelozi e saj.
Cila është ëndrra e Florian Markut për të ardhmen?
Gjithkush e ka një ëndërr. Ëndrra ime është të arrij në kategorinë UFC. Dua ta bëj gjithë botën të flasë shqip. Gjithnjë do të përfaqësoj ngjyrat tona kuqezi.
Cilin prej “luftëtarëve” do të doni të sfidoni të paktën një herë?
MkGregor do të doja ta sfidoja një herë. Kundër tij e dëshiron çdo luftëtar i MMA-së dhe UFC-së.
Kur e keni ndeshjen e radhës dhe ku?
Ndeshja e radhës do jetë në 20 prill dhe kam planifikuar ta luaj në Tiranë, po pres që të ma caktojnë. Flitet se do të jetë serb.
Cili është mesazhi juaj për fansat dhe për të gjithë shqiptarët?
I falënderoj nga zemra që gjithmonë i kam pranë në çdo shtet ku zhvillohen ndeshjet e mia dhe mbushin arenat. Me mbështetjen e tyre, u premtoj se do të arrij sa më lart.