Kryeministri Edi Rama u shpreh i sigurt se negociatat me Greqinë do përmbyllen me sukses. Rama tha se marrëveshjet me Greqinë do të jetë një tjetër arsye që BE të vlerësojë Shqipërinë si një shtet serioz.
Në konferencën e përbashkët me Presidentin Juncker, Rama tha gjithashtu deklaroi se Presidenti Meta do të bëjë detyrën e tij dhe brenda prillit kur do të jepet dhe rekomandimi për negociatat, do të kemi të përmbyllur këtë proces.
“Presidenti nuk e ka refuzuar dhënien e autorizimit, por ka kërkuar me të drejtën që i jep kushtetuta dhe autoriteti i tij, disa sqarime të shkruara lidhur me kërkesën e dërguar për marrjen e autorizmit. Sqarimet e nënshkruara janë dhënë, janë në tryezën e presidentit, unë ju ftoj të gjithëve që ta shohim këtë proces me gjithë seriozitetin që meriton dhe le të gjejmë në shumë nga çështjet e tjera arsyen për të bërë lajm, por jo në këtë proces.
Kam besim dhe nuk kam arsye pse të mos kem që presidenti do bëjë detyrën dhe ne do të kemi gjithë kohën e nevojshme për të përmbushur këtë objektiv strategjik të zgjidhjes të të gjitha problemeve të mbartura me fqinjin tonë jugor, janë probleme që shtrihen në 70 vjet të nënshkrimit të një marrëveshje të re, që për ne duhet të jetë e bazuar fund e krye tek vendimi i gjykatës sonë kushtetuese, kështu që nëse më pyesni sot a do të zgjidhet me sukses gjithë ky proces, unë mund t’ju them: Po do të zgjidhet me sukses dhe do të jetë një tjetër arsye e fortë për miqtë tanë të BE që të vlerësojnë Shqipërinë si një shtet serioz dhe qeverinë e Shqipërisë si një qeveri që ka të gjithë maturinë europiane për të trajtuar dhe çështje kaq delikate, të mbartura prej 70 vjetësh,” deklaroi Rama.