Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, u shpreh sot në seancën parlamentare lidhur me epideminë e fruthit në vend.
Vasili si në seancë ashtu edhe jashtë saj tha se jemi në një situatë emergjence shëndetësore dhe nga ana e qeverisë dhe zinxhirit komandues të shëndetësisë ka një trajtim të papërgjegjshëm.
“Së pari po u them publikisht që kjo epidemi i mungon të gjitha elementeve të trajtimit të saj profesional e shkencor por edhe detyrimeve ligjore. Po ju bëj të ditur, mbase edhe këtyre që drejtojnë qeverinë iu intereson. Ka disa instrumente që kontrollojnë epideminë në një vend. Shpallja, deklarimi publik i fillimit të epidemisë është një akt publik”, tha Vasili në seancë.
Edhe jashtë sallës së parlamentit kreu i grupit apeloi për të kthyer në funksion zinxhirin e komandimit të trajtimit të një epidemie.
“Tashmë ka marrë pamjen e plotë të një epidemie, të një emergjence shëndetësore siç ligji e përcakton. Prita që kryeministri të shqetësohej për këtë emergjencë. Është një problem akoma më delikat se të tjerat. Nuk jam i surprizuar që s’pati asnjë lloj qëndrimi. Bëj publike edhe një herë se shëndetësia shqiptare ndodhet pa instrumentet e saj. Nuk funksionon komiteti i imunizimit, komiteti i çrrënjosjes së fruthit nuk ekziston. Shqipëria ka detyrime shumë të forta në detyrim të kontrollit. Rastet e reja vijojnë të shtohen. Sot ka pasur një rast tjetër nga Kukësi. Epidemitë tronditin themelet e shëndetësisë së një vendi. Ky është trajtimi më i papërgjegjshëm që unë kam parë jo si politikan po si punonjës i vjetër i shëndetit publik. Një papërgjegjshmëri e tillë nuk është parë në asnjë kohë, as në diktaturë. Mbase do të shërbente ky apeli i imi për të rikthyer vendosjen në funksion të zinxhirit të komandimit të trajtimit të një epidemie. Qeveria nuk ka kalkuluar se cili është numri i atyre që duhet të vaksinohen dhe nuk ka asnjë lekë mënjanë për trajtuar këtë emergjencë por nuk kursehen paratë për koncesione dhe gjëra të tjera”-deklaroi Vasili.