Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar shpalli dje 10 sportistët më të mirë të vitit 2017. Në përzgjedhjen e tyre, KOKSH-i kishte parasysh pjesëmarrjen në aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare, si dhe rezultatet e arritura në disiplina të ndryshme nga çdo sportist.
Vendin e parë e ka zënë Luiza Gega, kampionia dhe rekordmenia e atletikës shqiptare. Ndërsa në të dytin është Izmir Smajlaj, kampion Europe në kërcimin së gjati. Më tej, në xhudo, sportisti më i mirë shpallet Jon Vrenozi kampion në xhudo në peshën deri 73 kilogramë.
Në këtë listë mungon emri i peshëngritësit që mori vendin e tretë në rang botëror, Erkand Qerimaj. Kjo ranklistë duket se nuk i ka pëlqyer aspak sportistit dhe ka shpërthyer kundër Federatës me anë të një statusi në “Facebook”.
Ja postimi i tij i plotë:
“Të jesh sportisti më i mirë në Shqipëri për 2017-tën, në renditjen e ranklistës së Federatës Botërore të Peshëngritjes. Të marrësh medalje në Europian 2, të jesh medalist botëror si i 3 në botë. Nuk mjafton të futesh në 10 sportistat më të mirë në Shqipëri. S’e kuptoj ca kriteresh duhen që të jesh në 10 sportistat më të mirë? Turp për Federatën, po edhe për Komitetin Olimpik“, përfundon Qerimaj. Mesa duket peshëngritësi shkodran ka rezerva për mënyrën se si zgjidhet sportisti i vitit në vendin tonë.”