Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi.
Në një reagim në Facebook, Basha shkruan se ky është një lajm i mirë në këtë 10-vjetor të Pavarësisë së Kosovës. Po ashtu, kryedemokrati shton se votimi i marrëveshjes në parlament meriton vlerësimin e duhur nga institucionet europiane dhe se do të shpejtojë hapat e Kosovës drejt integrimit europian.
“Përshëndes arritjen e marrëveshjes mes presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi. Në këtë përvjetor të dhjetë të pavarësisë ky është një lajm i mirë për Kosovën.
Marrëveshja është një akt i qartë i bashkërendimit të Kosovës me aleatët tanë euroatlantikë. Shpreh bindjen se votimi i saj në parlamentin e Kosovës meriton vlerësimin e duhur nga institucionet europiane dhe se do të shpejtojë hapat e Kosovës drejt integrimit europian”, shkruan Basha në Facebook.
Edhe presidenti Ilir Meta e ka përshëndetur marrëveshjen mes Kosovës dhe Malit të Zi, i cili është shprehur:
“Mali i Zi partner i shkëlqyer i shqiptarëve. Miratimi i Demarkacionit do sjellë një pranvere europiane për Kosovën e qytetarët e saj”.