Dhjetë vjetori i pavarësisë së Kosovës është komentuar edhe nga ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha. Për Berishën, Kosova ka patur një progres të madh, dhe ky ndryshim shikohet ne fushën ekonomike.
Pavarësisht të shkuarës dramatike të Kosovës, Berisha tha se ajo vitet e fundit kas patur ndryshime të jashtëzakonshme, kjo e ndihmuar nga Diaspora dhe faktori ndërkombëtar.
Deputeti i PD-së, ka theksuar se Shqipëria duhet të qëndrojë më pranë Kosovës, por për situatën e krijua është përgjegjëse edhe Serbia, ndërsa si rrugë shpëtimi, është përmirësimi i raporteve mes dy vendeve shton mes tjerash Berisha.
Intervista e Berishës në emisionin “Përballë” ne RTSH
Mendon se duhej bërë më shumë gjatë këtyre 10 viteve?
Mendoj se mund të bëhej më shumë, mendoj se Kosova ka bërë shumë gjatë këtyre viteve në rrafshin ekonomik. Dua të theksoj këtu se nëse ne, në katër vitet e para liri, për shkak të një rraskapitje të tmerrshme e të gjithanëshme nga 46 vite diktaturë, arritëm të ndërtonim gjithsej 6 km autostradë Tiranë – deri të Ura e Limuthit, Kosova në 5 vitet e para të saj ndërtoi autostradën Ibrahim Rrugova, ndërtoi dhe rindërtoi mbi 120 mijë banesa të rrënuara, të djegura e të shkatërruara nga lufta. Ndërtoi dhe rindërtoi dhe Kosovën në tërësi e ngriti në këmbë.
Më shumë dhe falë ndihmës së diasporës?
Falë ndihmës së gjithanëshme edhe të komunitetit ndërkombëtar se u bë konferenca dhe u dhanë miliarda por edhe falë përdorimit me efiçencë të saj. Kosova gjithashtu këto 10 vite ka arritur disa suksese në drejtim të procesit të integrimit europian, me një afrim më të madh. Pra progresi është i pamohueshëm. Natyrisht hapësirat e këtij progresi janë qartësisht më të mëdha. Veçanërisht zhvillimet e dy tre viteve të fundit mendoj se kanë qënë të pafavorshme për Kosovën.
Këtu keni parasysh luftën e brendshme politike?
Luftën e egër të brendshme politike. Pavarësia është proces për tu ndërtuar. Pasi e shpall, të duhen lumenj djerse dhe suksesesh pune për ta ndërtuar. Liria është për tu ndërtuar.Duket sikur liderët, të cilët kanë mandatin për ta çuar Kosovën përpara, me betejën e brendshme politike kanë stopuar vullnetin e popullsisë atje për të bërë përpara.
Nuk besoj se atë e kanë stopuar liderët. Sigurisht ata kanë përgjegjësitë e tyre por është një problem më i gjërë, problem i elitës së shoqërisë. Eshtë një problem, për fat të keq në Kosovë, i veprimit permanent të faktorit Beograd, i cili merr vetvetiu epërsi sa herë që Kosova shkon drejt një gjysëm bllokimi, dhe ndihmohet aktivisht nga Tirana sa herë që kreu i ekzekutivit të Tiranës mban qëndrime paternaliste ndaj Kosovës.
Si duhet të jetë raporti i Shqipërisë me Kosovën? Dy shtete vëllezër, shteti amë?
Dy shtete vëllezër me lidhje të pakufishme. Gjëja e fundit që duhet të bëjë Shqipëria është të marrë protagonizëm, të marrë paternalizëm ndaj Kosovës sepse kjo është jashtëzakonishte e dëmshme për kosovën dhe interesin kombëtar në tërësi. Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin problemet e tyre. Eshtë Serbia përgjegjëse, që me Mitrovicën e Veriut, me mos zbatimin e marrëveshjeve etj etj. Por ky ballafaqim duhet të jetë shtet me shtet, kryeqytet me kryeqytet.