Diskutimet mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë patur interpretime të ndryshme, ndërsa takimi mes Bushatit dhe Kotzias nuk është bërë tërësisht transparent për publikun. Për kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, kjo qasje e ndjekur nga politika shqiptare tregon se po lëshohet sovranitet nga Greqisë. Kjo sipas tij, është një shenjë përfitimi për Greqinë në kuadër të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.
Sa i përket ligjit të luftës më Greqinë, Idrizi tha se shteti shqiptar duhet të tregohet shumë i kujdesshëm, ku me heqjen e ligjit duhet të hiqen edhe efektet. Nëse nuk ndodhë një gjë e tillë, atëherë gjithçka është në favor të Greqisë u shpreh mes tjerash Idrizi në Report Tv.
“Në kabllogramet e Uithers flitej për presionin e Athinës për marrëveshjen e ujërave dhe varrezave. E njëjta gjë po ndodh edhe sot, për shkak të nevojës për veton e Greqisë për negociatat po ndodh e njëjta gjë. Për të hequr veton po lëshon sovranitet. I referohem varrezave dhe çështjeve të tjera. Kam parasysh shqiptarët e Çamërisë, por edhe pronat e shumë shqiptarëve të tjerë, por edhe komunitetet fetare shqiptare e atje. Kemi shumë emigrantë, që faleminderit Greqisë, që po i mban, por marrëveshja e pensioneve nuk është firmosur. Përsa i përket ligjit të luftës duhet të hiqen efektet e tij”.
Ai thotë se vetë kryeministri Rama në asamblenë e PDIU ka deklaruar se çështja çame do të ishte parësore, ndërsa shtoi se tani është zhytur në një ngërç.
“Në asamblenë e PDIU, Rama u shpreh se do ta kishte parësore çështjen çame, ndërsa tani e pash në ngërç”-u shpreh ai