Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli është rikthyer me deklarata të forta kundër qeverisë, por edhe kundër opozitës.
Në një intervistë për Report TV, Topalli akuzoi drejtpërdrejt Bashën, për të cilin tha se bën teatër në politikë.
Jo vetëm kaq, por Topalli është treguar mjaft e ashpër teksa tha se shqiptarët kanë të gjitha arsyet për të protestuar jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj Bashës, i cili sipas saj, ka vjedhur siglën e PD-së, karrigen e kryetarit, ndërsa sot “nuk ka më Parti Demokratike”.
Topalli për protestën
Rama dhe Basha bëjnë teatër në parlament. Çfarë pritshmërie mund të ketë nga një protestë që kërkon të rinegocojë marrëveshjen e 18 majit?
Vendi është në buzë të greminës. Përgjigjes tuaj iu përgjigj Basha, i cili tha që nëse nuk doni të paguani paratë, rrëzoni Ramën. E kuptoni logjikën? Vendi është pa opozitë dhe ata janë bashkë.
Në krye të vendit do të kemi gjithmonë Lulin, lalin, Edin dhe Monën.
Arsyet për të protestuar janë kaq shumë, populli po braktis vendin. Basha do mbahet mend si njeriu më i vjetër në pushtet që nuk punoi asnjë sekondë për interesin publik.
Akuzat ndaj Bashës
Nuk ekziston e djathta në Shqipëri dhe as Partia Demokratike, ekziston grupi i interesave personale të Lulzim Bashës.
Ai na ka vjedhur siglën, siç ka vjedhur karrigen e kreut të partisë, siç ka vjedhur detin.
Ish të persekutuarit kanë vite që kërkojnë dëmshpërblimin, ndërsa Basha kaloi në një vit të gjitha shkallët, duke fituar 13 milionë euro.
Për LSI-në
Kam dëgju që ne jemi opozitë e fortë se kemi 20 karrige. Të thuash papërgjegjshmëri është pak, nuk di të gjej fjalë. Kur kanë pas nevojë ndonjëherë demokratët që të shkojnë në protestë nga thirrjet e të majtëve? Kurrë!
Duhet të ketë çdo ditë protestë kundër qeverisë, kundër atyre që punojnë për interesa të caktuara dhe jo të opinionit publik.
Për zgjedhjen e kryeprokurores Marku
Është mjerim ajo që ndodhi, ai nuk është parlament në fakt, është teatër. Ata çojnë mesazhe me njëri-tjetrin, ndërkohë që bëjnë sikur po replikojnë.
Nuk qeveris Rama, qeverisin oligarkët.
Berisha mbështet Bashën?
Nuk jam e sigurt, nuk e di nëse Berisha mbështet Bashën, pyesni Berishën. Për Lulin nuk flas më në zyra, flas edhe publikisht. Basha nuk është Partia Demokratike! TIRANA TODAY