Zbardhen detaje të reja lidhur me grabitjen e djeshme që ndodhi në ambientet e hipotekës në Tiranë.
Dëshmitarë të grabitjes kanë qenë dhjetëra qytetarë që prisnin në radhë, duke përjetuar një tmerr teksa kanë parë autorin të maskuar dhe me armë që kërkonte paratë.
Autori ishte një person i maskuar me kapuc dhe me shall, i cili nën kërcënimin e armës ka mundur të neutralizojë rojën e Hipotekës, duke arritur të hyjë në ambientet e brendshme të agjencisë së një banke të nivelit të dytë, që operon në ambientet e brendshme të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Pasi ka hyrë brenda, autori u ka drejtuar armën punonjësve pas sportelit, të cilëve u ka marrë një shumë parash brenda pak sekondash. Pasi ka marrë paratë, autori i maskuar është larguar me vrap duke dalë i qetë në unazë, në rrugën “Asim Vokshi”.
Por, sa është shuma e grabitur? Sipas burimeve nga policia, rezulton se shuma e grabitur të jetë rreth 300 mijë lekë të rinj.
Autori është ende i lirë, ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë së disa bizneseve private dhe institucioneve shtetërore, të cilat do të shërbejnë për identifikimin e autorit të ngjarjes.