Kuvendi i Shqipërisë dhe Fondacioni Soros po vendosin se kush do jetë përfaqësuesi i shoqërisë civile në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Një raport i firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit Genci Gjonçaj, zbulon po favorizojnë disa kandidatë të shoqërisë civile që nuk plotësojnë kriteret ligjore (sipas ekspertëve ndërkombëtarë-ONM). Por le ta rrëfejmë fabulën në mënyrë më elementare.
Një nga organet që do strukturohen pas reformës në Drejtësi është Këshilli i Lartë i Prokurorisë. (KLP)
Një prej anëtarëve të këtij këshilli duhet të jetë propozim i shoqërisë civile. Drejtuesi i Komisionit Propozues të Shoqërisë Civile është zoti Andi Dobrushi, njëherësh dhe drejtor i Fondacionit Soros.
Nga lista që ka propozuar Komisioni i Shoqërisë Civile, në përfundim Kuvendi ka mbajtur në garë vetëm 3 kandidatura. Alfred Balla, Andi Muratej, Mimoza Qinami. Por vendimi i Kuvendit rezulton tërësisht në kundërshtim me opinionin e Organizatës Ndërkombëtare të Monitorimit (ONM), pasi kjo organizatë ka kërkuar skualifikimin e Alfred Ballës dhe Andi Muratej, ONM-ja ka kërkuar që në garë të mbetej vetëm Mimoza Qinami si e vetmja kandidate që plotësonte kriteret. Kuvendi e ka renditur në raport Alfred Ballën në vend të parëm por misioni i ONM-së është shprehur për këtë kandidat se ka dyshime se ai e ka kopjuar platformën e vetë konkuruese nga një tjetër kandidat, pra ka bërë plagjiaturë.
Ndërsa për Andi Muratej misioni i ONM-së ka zbuluar se ai nuk ka punuar në shoqërinë civile në afatin kohor siç e kërkon ligji dhe se ka qenë i angazhuar me detyra shtetërore kryesisht.
Sipas ONM-së Alfred Balla dhe Andi Muratej duhej të skualifikoheshin, por Kuvendi i Shqipërisë pa dhënë asnjë kundër-argument mbi pretendimet e ONM-së, i ka kualifikuar këta dy kandidatë, madje i ka renditur të parët në listën e pikëzimit.Ky është një shembull arbitrar se si Kuvendi po godet me vendim politik, opinionin e ekspertëve të ONM-së duke futur në lojë dy kandidatë me probleme dhe që nuk plotësojnë kriteret, shkruan Hashtag.al.
Nga ana tjetër raporti i ONM-së zbulon dhe kompromentimin e shoqërisë civile dhe në veçanti të fondacionit Soros, pasi nga 14 kandidaturat(në total) që ka paraqitur ky Fondacion vetëm njëra prej tyre plotësonte kriteret ligjore.