Emiljano Vila pak ditë më parë u largua nga Partizani, duke u cilësuar nga drejtuesit si i papërfshirë në projektin e ri. Por lëvizja që ka bërë Vila është më e mira që mund të ndodhte në karrierën e tij në këtë moshë. 29-vjeçari ka nënshkruar me Skënderbeun dhe është vënë nën urdhrat e teknikut Ilir Daja. Marrëveshja ishte arritur prej ditësh por sot ka ardhur zyrtarizimi.
“Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ bën goditjen e dytë në merkato, duke firmosur me mesfushorin 29-vjeçar Emiljano Vila. Menjëherë pasi u arrit marrëveshja mes palëve, Vila është nisur drejt Turqisë, ku iu bashkua ditën e djeshme me ekipin në Antalia. Sot, 29-vjeçari firmosi së bashku me administratorin e klubit, Gerhard Takaj, kontratën që e lidh me klubin tonë për 1 vit e gjysmë”, shkruhet në njoftimin e Skënderbeut.
Vila u largua nga Partizani, ku luante prej janarit të vitit 2015. Më parë ka luajtur për Inter Baku, Teuta, Dinamo, Pas Giannina dhe Lokomotiva Zagreb.