Në këtë 105-vjetor të krijimit të Policisë së Shtetit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shprehur mirënjohjen për të gjithë punonjësit që mbajnë lart vlerat e uniformës, ndërsa u shpreh se kupola drejtuese e këtij institucioni është e kapur nga krimi.
Pasi vizitoi familjen e efektivi të vrarë të policisë Artan Cuku, Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin dhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për situatën e keqe në të cilën ndodhet policia, që sipas tij drejtojnë kriminelët ndërsa efektivët e ndershëm janë arratisur nga vendi, duke ju referuar rastit të Dritan Zaganit.
“Sot në këtë ditë të 105-vjetorit të krijimit të policisë shqiptare, dua t’i drejtoj një mesazh çdo punonjësi të policisë që ka punuar me ndershmëri, me një falenderim të thellë nga zemra.
E di se këtë 105-vjetor policia është në një moment tragjik sepse sot kriminelët janë në krye të kupolës drejtuese të policisë dhe janë punojësit me integritet që kanë marrë arratinë apo janë ekzekutuar nga dora e krimit.
Policia është në këtë gjendje sepse Shqipëria i është dorëzuar krimit. Ndaj shërbimi më i madh që mund të bëjmë ndaj burrave dhe grave është të bashkohemi në një aleancë vlerash”, u shpreh kryetari i PD.
Sa i përket vetingut në polici, Lulzim Basha u shpreh se uniformat blu do të pastrohen kur kjo qeveri të largohet nga pushteti që mori me ndihmën e krimit.