Një ndër ish-funksionarët e lartë të Policisë së Shtetit, Ismail Elezi ka deklaruar se ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është duke bërë show, por ritheksoi se krimi i organizuar nuk luftohet me deklarata.
Teksa ka folur në Report Tv, Elezi i ka bërë thirrje ministrit të distancohet nga deklaratat, pasi sipas tij, kjo dëmton rëndë Policinë e Shtetit.
“Më dhemb zemra kur dëgjoj këto gjëra për Elbasanin pasi kam qenë drejtues Policie atje dhe se banorët kanë kulturë dhe respekt për uniformën e Policit. Është shoë ajo që ministri shkon në Elbasan dhe bën këto deklarata. Jam kundër këtyre deklaratave dhe i bëj thirrje ministrit që mos të merret me deklarata sepse dëmtojnë punën e policisë”-theksoi Elezi.
Sipas Elezit, në qarkun Elbasanit në harkun kohor të tre viteve , kanë ndodhur 20 ngjarje të rënda, ndërsa asnjëra prej tyre nuk është zbardhur. Ky rezultat tregon se policia ka dështuar përballë krimit në këtë qytet.Pikëpamja e tij për lëvizjen e funksionarëve të policisë nga një qark në një tjetër nuk është as më shumë dhe as më pak, por kjo përkthehet në një vështirësi për punën e policisë.
“Nuk mund ta bëjë Xhafa vetingun, pasi policia e bën vetingun. Në çastin që ministri ‘fut’ hundët në vetingun e Policisë së Shtetit atëherë Policia është politizuar”-theksoi ai.