Presidenti Ilir Meta ka ende në tryezën e tij propozimin e kryeministrit Edi Rama për të dekretuar Helidon Bendon në pozicionin e shefit të shërbimit informativ shtetëror.
Por gjatë ditës së sotme u raportoi se Meta nuk e ka dekretuar emrin e Bendos si pasardhës te Visho Ajazi Likës, i cili do të shkojë ambasador në Nato.
Kreu i shtetit nuk ka afat të përcaktuar për të vendosur nëse do e dekretojë apo jo emrin e Bendos. Një burim afër Presidentit tha se kreu i shtetit nuk ka ende vendim lidhur me ketë çështje.
Ndërkohë sot në presidence është zhvilluar ceremonia e dekorimit të Visho Ajazi Likës me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”.
Lika vlerësohet për kontributin e tij të veçantë në fushën e sigurisë kombëtare, luftës kundër terrorizmit dhe, në veçanti, në luftën kundër krimit të organizuar e trafikut të drogës.
Gjatë ceremonisë Presidenti Meta theksoi se Shërbimi Informativ ka bërë detyrën e tij me përgjegjshmëri dhe patriotizëm dhe në kushte mjaft të vështira, shpesh edhe nën presionin e politikës.
Forcimi i pavarësisë, integritetit dhe profesionalizimit të Shërbimit Informativ Shtetëror është domosdoshmëri për të forcuar jo vetëm stabilitetin e sigurisë kombëtare të vendit, por edhe për të forcuar aftësitë e Shqipërisë për të eksportuar në vendet fqinje dhe partnere më shumë siguri e sa më pak probleme.