Duket se Lëvizja Vetëvendosje po kalon një moment jo të mirë, teksa po ballafaqohet me çarjen e parë serioze që nga themelimi i saj.
Pas pak kohësh, në fund të shkurtit apo në fillim të marsit, kjo parti do të zgjedhë strukturat e reja, ndërsa vetëm para pak ditësh u publikua skandali mes deputetëve, ku Aida Dërguti e kishte ofenduar rëndë ish-liderin Albin Kurti me anë të disa mesazheve në Viber.
Pas publikimit të skandalit, Dërguti dha dorëheqjen si anëtare e Kryesisë, si dhe nga funksioni i kryetares së Degës në Vushtrri.
Tashmë, Lëvizja Vetëvendosje është e ndarë në dy grupe: ai që mbështet Kurtin, si dhe grupi i ish-sekretarit të LVV-së Dardan Molliqajt, pjesë e të cilit është edhe deputetja Dërguti.
Ndërkohë, nuk dihet data e saktë e mbajtjes së zgjedhjeve, teksa vetë sekretari i përgjithshëm dhe deputeti i Vetëvendosjes, Ismail Kurteshi ka thënë dje për “Zërin” se zgjedhjet e brendshme të kësaj partie do të mbahen në fillim të vitit tjetër, por pa saktësuar kohën e saktë.
“Natyrisht që zgjedhjet do të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, por datën nuk e kemi caktuar. Një vendim të tillë e merr Këshilli i Përgjithshëm”, ka thënë Kurteshi.
Kurteshi nuk ka pranuar të flasë se kush do të jenë kandidatët për kryetar të partisë, ndonëse jozyrtarisht lakohen emrat e Kurtit, Molliqajt dhe Shpend Ahmetit.
“Nuk e di kush do të kandidohet. Ka me qenë koha në dispozicion për t’i paraqitur kandidaturat. Kujt ia merr mendja le të kandidojë.
Ndërsa unë për vete e di që nuk do të kandidohem, por të tjerët të gjithë e kanë këtë mundësi. Ne vetëm atë kohë po e presim, kur të vijë koha për kandidatura të shohim, çfarëdo që them tash mundem të mos ia qëlloj”, tha ai.
Kurteshi ka komentuar edhe dorëheqjen e Aida Dërgutit: “Mendoj që është vendim i saj personal, të cilin duhet ta përshëndes”.