Gjiganti mediatik amerikan CNN thekson se presidenti Donald Trump mund të përfundojë në burg. E gjitha kjo vjen pas deklarimit fajtor të ish-këshilltarit për Sigurinë Kombëtare i Trump-it, Michael Flynn, se ka gënjyer FBI-në, për lidhjet me rusët dhe ndërhyrjen e këtyre të fundit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Duke analizuar situatën e fundit në Shtëpinë e Bardhë, e cila është përfshirë në një furtunë politike, CNN thekson se Trump së bashku me dhëndrin e tij mund të paditen, të ndiqen penalisht, të dënohen dhe të dërgohen në burg, ashtu si të gjithë ata që shkelin ligjin, shkruan Tirana Today.
Megjithatë, Page Pate i CNN shkon përtej këtij gjykimi të thjeshtë logjik, duke saktësuar se Trump s’do ta lejonte kurrë që kjo të ndodhë me familjen e tij. Por, nga ana tjetër ekziston një argument i fortë ligjor se Trump mund të mos jetë në gjendje të mbrojë veten dhe të tjerët rreth tij.Dhëndri i Trump Jared Kushner mund të jetë viktima e radhës e këtij hetimi, pasi në atë që kemi mësuar nga marrëveshja e Flynn, ekziston një mundësi e madhe që Kushner të përballet seriozisht me ligjin. Ndërsa ekzistojnë dyshime se Kushner ka kërkuar nga Flynn të kontaktojë rusët, në lidhje me çështjen e vetos ndaj rezolutës izraelite, ai mund të ketë shkelur “Aktin Logan”.
Flynn gënjeu FBI-në
Kur Michael Flynn hyri në sallën e një gjykatë federale në Uashington, dhe firmosi një marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe bashkëpunimin me drejtësinë, disa njerëz menduan se kjo shënoi fillimin e fundit të presidencës së Donald Trump. Por është a Flynn njeriu që ta rrëzojë këtë president nga pushteti, dhe ndoshta ta dërgojë atë në burg?
S’ka dyshim se Zyra e Avokatëve të Posaçëm, ka qenë tejet e zënë këto kohë. Ne e dinim se Robert Mueller dhe ekipi i tij, kishin vepruar me shpejtësi për të marrë nënshkrimet e anëtarëve të Jurisë së Madhe, për të mbledhur prova dhe intervistuar lojtarët e mëdhenj por edhe ata të vegjël, në lidhje me dramën e hetimit të ndërhyrjes ruse në presidencialet e vitit të shkuar, e cila vazhdon ende të shpaloset.Dhe tani, me dëshmitë e forta të disa prej të besuarve të Trump, e dimë se puna e prokurorit Special po jep frytet e veta. Po ku na çon e gjitha kjo? A do të çojë me siguri bashkëpunimi i Flynn me drejtësinë, në ngritjen e akuzave penale kundër Trump, apo ndonjërit prej anëtarëve të familjes së tij? Ndërsa nuk e dimë se çfarë ka thënë ose do të thotë Flynn, kur të bashkëpunojë me hetimin e ndërmarrë nga Mueller, s’ka asnjë arsye për të besuar se Trump apo dikush që ka lidhje me të, do të përballet me burgimin. Duke pasur parasysh faktin që Flynn e pranoi se kishte gënjyer, ka shumë mundësi që Trump ose ndonjë anëtar i rëndësishëm i kabinetit të tij, t’i ketë thënë Flynn të kontaktonte me rusët, përpara se Trump të betohej si president.
Shkelja e “Aktit Logan”
Nëse e ka bërë diçka të tillë, kjo në vetvete mund të përbëjë një krim sipas përcaktimeve “Aktin Logan”, një ligj që e pengon cilindo të negociojë me një qeveri të huaj, në lidhje me çështjet e brendshme të SHBA-së, përveçse rastit kur ka autoritetin zyrtar për ta bërë këtë. Në rastin e Flynn, kjo do të thotë se ai nuk mund të vepronte sikur të ishte këshilltari i sigurisë kombëtare, deri kur të merrte realisht një funksion të tillë.Edhe sikur Mueller të mos jetë i interesuar për shkeljen e “Aktit Logan”, ai nuk do të mund të shpërfillë njerëzit që e gënjejnë ekipin e tij gjatë këtij hetimi. Në këtë rast, Flynn mund të ketë gënjyer për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga një akuzë penale sipas “Aktit Logan”. Nëse po, mbulesa mund të ketë qenë më e rëndë se sa vetë krimi.
Rasti i James Comey
Në kohën kur presidenti Trump kërkoi nga ish-drejtori i FBI-së, James Comey, të “linte Flynn jashtë kësaj çështje”, unë shkruaja se zoti Flynn duhet t’i jepej imunitet, në mënyrë që të mësonim atë që ai dinte. Mendoja se kontaktet e Flynn me zyrtarët më të lartë të fushatës dhe të tranzicionit presidencial, ia vlenin një lloj sakrifice.Por një marrëveshje për pranimin e fajësisë, është shumë më e mirë. Ajo përcakton një bazë faktike për sjelljen kriminale, të pranuar nga njëri prej pjesëmarrësve. Ajo e bën gjithashtu zotin Flynn një dëshmitar shumë më të efektshëm, dhe të besueshëm, përkundër të tjerëve të përfshirë në këtë çështje.
Ai pranoi se kjo sjellje ishte e gabuar, dhe se për këtë duhet të përballet me të paktën disa pasoja. Kjo e bën më të vështirë sulmimin e besueshmërisë së tij, sesa në rastin kur do të arrinte një marrëveshje për pasjen e një imuniteti. A do të njoftohen akuza të tjera penale nga prokurori special, përpara fundit të këtij viti?
Ndoshta, por nuk mendoj se do të ketë një padi kundër vetë presidentit. Ekziston një debat i gjerë midis juristëve dhe njohësve të Kushtetutës, në lidhje me atë se a mund të akuzohet edhe një President në detyrë, dhe logjika e ndjekjes penale të një presidenti gjatë kohës që ushtron mandatin e tij, zvogëlon gjasat që kjo të ndodhë.
Trump drejt burgut
Edhe nëse Mueller do të ishte i gatshëm t’i qepej presidentit Trump, ky i fundit mundet të jetë në gjendje që thjesht të falë veten, dhe të shmangë ndjekjen penale. Po Jared Kushner dhe Donald Trump Jr? A mund të akuzohen ata, në rast se ka ndonjë dëshmi se njëri apo të dy kanë shkelur ligjin? Po, mundet.Ata mund të paditen, të ndiqen penalisht, të dënohen dhe të dërgohen në burg, ashtu si ne të tjerët. Por kjo s’ka për të ndodhur. Trump s’do të lejojë kurrë që kjo të ndodhë me familjen e tij. Ndërsa ekziston një argument i fortë ligjor se Trump mund të mos jetë në gjendje të falë veten, s’ka dyshim se ai mund t’i falë fëmijët e tij dhe cilindo tjetër që dëshiron. Mundësia që Trump mund të falë një anëtar të familjes së vet, nuk duket tanimë edhe aq e largët.
Kushner, mund të jetë viktima e radhës
Një komentator, ka sugjeruar se Kushner mund të jetë viktima e radhës e këtij hetimi. Bazuar në atë që kemi mësuar nga marrëveshja e Flynn, ekziston një mundësi e madhe që Kushner të përballet seriozisht me ligjin. Për shembull, nëse Kushner ka kërkuar nga Flynn të kontaktojë rusët, në lidhje me çështjen e vetos ndaj rezolutës izraelite, ai mund të ketë shkelur Aktin Logan.Ai gjithashtu ka bërë deklarata të shumta mbi ekipin e Mueller, dhe stafin e kongresit gjatë këtij hetimi, me sa duket duke përfshirë atë që ai dhe Flynn kanë diskutuar gjatë periudhës së tranzicionit. Natyrisht, ne nuk dimë se çfarë i ka thënë ose do t’i thotë Flynn prokurorit special, kështu që çdo diskutim mbi atë që mund të ketë bërë Kushner janë vetëm spekullime.
Lidhja me rusët
Por ekipi i Mueller, mund të zbulojë prova se Kushner ishte në një fare mënyrë i përfshirë në pengimin e hetimit në mënyra të tjera, ose duke bërë vetë deklarata të rreme. Trump Jr, duket se nuk ka pasur asnjë lidhje me ndonjë telefonatë ndaj ambasadorit rus, por ai ishte i pranishëm në një takim të diskutueshëm me të, dhe bëri disa deklarata mbi atë takim, çka mund të jetë në kundërshtim me atë që ka thënë vetë Flynn.
Pavarësisht nga ajo me të cilën mund të përballen Kushner ose Trump Jr, fakt është se ata nuk kanë realisht asnjë nxitje për të bashkëpunuar me këshilltarin special. Ata e dinë se çfarëdo që mund të ndodhë në këtë hetim, e kanë faljen në xhepin e tyre, për aq kohë sa ata e quajnë “Babi” presidentin e SHBA-së. Megjithatë në dallim nga Kushner apo Trump Jr, Michael Flynn u detyrua të arrijë një marrëveshje. Flynn ka të ngjarë të përballet me akuza më serioze në lidhje me marrëdhëniet financiare, dhe mundësia e futjes në burg për një periudhë kohe është realiste. Trump mund t’i jepte atij një “kamerdare shpëtimi”, duke i dhënë faljen para se të kishte për të pranuar fajësinë. Por Flynn nuk është anëtar i familjes, dhe pasojat e mundshme politike dhe ligjore të faljes së tij, duhet të kenë tejkaluar çdo ndjenjë besnikërie që Trump ushqente ndaj Flynn.
Ai mund të mos e kishte problem t’i kërkonte James Comey ta shmangte nga hetimet e mëtejshme mbi ndërhyrjen e supozuar ruse në zgjedhjet presidenciale, por dhënia e një falje ishte me sa duket më shumë sesa nga sa Trump ishte i gatshëm të bënte. Mënyra e vetme kur pranimi i fajësisë së Flynn do të ndikonte drejtpërdrejti tek Trump apo familja e tij e ngushtë, është në rastin kur Kongresi vendos që mjaft është mjaft, dhe nis procedurat e shkarkimit të presidentit (impeachment).Ndoshta, teksa mësojmë më shumë mbi detajet e asaj që ndodhi gjatë fushatës presidenciale dhe periudhës së tranzicionit, mund të ndodhë edhe kjo. Por republikanët kontrollojnë Kongresin, dhe duke pasur parasysh mënyrën se si kanë trajtuar gabimet e tjera etike dhe morale nga kjo Shtëpinë e Bardhë, unë vetë s’kam ndonjë iluzion. Flynn ka bërë marrëveshjen e tij, dhe ai mund të ketë një histori interesante për të treguar. Por unë nuk besoj se ai do të rrëzojë së shpejti këtë President apo familjen e tij.
Nga Page Pate, “CNN”/Përshtati për Tirana Today, Alket Goce