Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, Michael Flynn, ka pranuar se ka gënjyer FBI-në lidhur me hetimin sa i përket kontakteve të tij me Kremlinin, duke u deklaruar fajtor.
Ndërkaq nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë është distancuar menjëherë nga ish-këshilltari i Trump. Duke parë një qëndrim të tillë të Shtëpisë së Bardhë, Flynn është treguar i gatshëm që të dëshmojë kundër vetë presidentit.
Kjo do të sillte reagime të shumta në politikën amerikane nëse kemi parasysh se Trump është akuzuar direkt për lidhjet me Rusinë dhe favoret që ka pasur prej saj në garën presidenciale nga ndërhyrjet kibernetike ruse, shkruan “The Guardian”.
Sipas medias amerikane “ABC News”, Flynn ka premtuar se do të bashkëpunojë me drejtësinë si rrjedhojë dhe për të dëshmuar kundër presidentit. Flynn ka shpjeguar se urdhri për kontaktet e tij me rusët ka ardhur drejtpërdrejtë nga Trump.
“Gabova. Shpreha fajësinë time dhe vullnetin për të bashkëpunuar me prokurorin. Pranoj përgjegjësitë e mia”, ka thënë ish-këshilltari i Trump. Michael Flynn ishte këshilltari i parë për sigurinë kombëtare i presidentit Trump dhe kishte akses në të gjitha sekretet e inteligjencës amerikane ndërsa ka pranuar inkriminimin e tij.
Mbi Flynn rëndojnë akuza të tilla si “mashtrimi ndaj FBI-së nën betim”, si dhe për kontaktet me ambasadorin rus. Flynn fshehu takimin me ambasadorin rus si për FBI-në ashtu edhe për zëvendëspresidentin Pence. E gjithë kjo situatë pritet të sjellë një furtunë të madhe politike në Uashington si pasojë e investigimit të asaj që quhet dosja “Rusiagate”.