Situata politike në vend nuk është dhe aq e qetë. Ka akuza të ndërsjellëta mes qeverisë dhe opozitë për përfshirje në korrupsion. Në një situata ku ish-ministri i qeverisë Rama akuzohet për lidhje me trafikun e drogës opozita duhet të ishte më e bashkuar se kurrë. Një nga figurat e larta të Partisë Demokratike komenton situatën politikë në vend dhe tregohet kritik i fortë i Ramës dhe Bashës . Në një intervistë për “ABC News,” Patozi deklaroi se Edi Rama dhe Lulzim Basha ngjajnë si dy boksierë të lodhur. Fatkeqësia, sipas tij është se Partia Demokratike nuk po forcohet nga dobësia e qeverisë. Analizën në PD Patozi e konsideron farsë. Po ashtu sipas tij, partia bashkohet nga vota dhe jo nga cilësia e statutit.
“Unë prisja që Partia Demokratike të bënte diferencën. Dhe këtu është i gjithë problemi, që ne sot përballë publikut ngjajmë si dy boksierë të lodhur që asnjëri nuk ka fuqi të godasë tjetrin, për shkak se publiku ende nuk është i bindur që Lulzim Basha dhe lidershipi i tij do të bëjnë një gjë ndryshe, nëse do të vijnë nesër në pushtet. Dhe ky është problemi që kemi në sot, prandaj dobësia e qeverisë nuk reflektohet në forcim të opozitës, shkruan Patozi.
Patozi shton se Shqipëria ndodhet në një depresion të madh politik, për shkak se qeveria, e cila u shfaq e relaksuar pas fitores së zgjedhjeve të 25 qershorit, por ka humbur shumë nga legjitimiteti i vet, për shkak të ngjarjeve të fundit.
“Shqipëria ndodhet në një depresion të madh politik, për shkak se qeveria, e cila u shfaq e relaksuar pas fitores së zgjedhjeve të 25 qershorit, ka humbur shumë nga legjitimiteti i vet, për shkak të ngjarjeve të fundit. Në këtë situatë ka një përpjekje të sforcuar të kryeministrit për ta kapërcyer, duke shpikur ngjarje tjera, çështje tjera, që të sfumojë më të rëndësishmen, që është shërëthimi i dosjes Habilaj dhe ngjarjet që pasuan atë. Është ndoshta një shpresë e tij që si të gjitha çuditë në këtë botë, që zgjasin vetëm tre ditë, kjo të mund të harrohet. Më duket një përpjekje e pamjaftueshme, pavarësisht zotësisë së kryeministrit për të hapur tema tjera. Madje më duket njësoj sikur të mbyllësh një digë hidrocentrali me lopata dheu. Pra ,them që ky depresion do të vazhdojë për shkak se qeveria ka humbur shumë nga kredibiliteti i saj” thotë drejtuesi i Lëvizjes për Ringritjen e PD-së.
Patozi e konsideron Bashën si një të sëmurë që ka frikë të shkojë te doktori sepse ai do ti thotë që është semurë. Patozi gjithashtu e bën bashën përgjegjësin kryesor për humbjen e Partisë Demokratike dhe për përçarjen e saj.
“Basha sot ngjason me atë të sëmurin që ka gjetur si zgjidhje që të mos shkoj tek doktori se po shkoj doktori do ti thotë që ti je keq. Por sëmundja ndërkohë vazhdon, shkon apo nuk shkon te doktori. Pra, ai duhet të zgjidhë problemin me sëmundjen, duhet të shërojë sëmundjen. Është përgjegjësi kryesor. Ne nuk e kemi presionin e kohës. Pse? Ne kemi bërë tonën. Detyrimi jonë për t’u dalë përballë demokratëve ishte që ne të paraqisnim një zgjidhje, një alternativë që do të çonte në bashkimin, në ringritjen e Partisë Demokratike. Kemi bërë detyrën tonë. Lulzim Basha është përgjegjësi kryesor për çarjen e Partisë Demokratike dhe për rezultatatin katastrofik të saj dhe i takon që të jetë përgjegjësi për ta ndryshuar për mirë. Pra nën presionin e kohës është ai dhe nuk jemi ne. Sigurisht që ne nuk do të presim gjithë jetën Lulzim Bashën, por ne do të vazhdojmë aksionin tonë politik duke takuar dhe komunikuar me çdo demokrat, të cilët besoj janë shumë që mendojnë si ne, thotë Patozi.