Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet për kontratat e dyshimta të Partisë Demokratike që ka lidhur me kompani lobimi amerikane duke mos i deklaruar zyrtarisht. Burime konfidenciale për “Tirana Today”, organi i akuzës do të hetojë për burimin e të ardhurave.
Bëhet fjalë për më shumë se gjysmë milionë dollarë për një kompani lobimi në Uashington dhe dështoi të bënte transparencë në KQZ, ndërkohë që njëra prej transfertave rezulton të jetë bërë nga një kompanie guackë me aksionerë anonimë e regjistruar në parajsa fiskale.
Kontratat në fjalë janë nënshkruar nga Partia Demokratike në të njëjtën periudhë kur kjo forcë politike vijonte protestën në çadrën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku për afro 3 muaj kërkonte zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke akuzuar mazhorancën se do të përdorte para të krimit dhe drogës në fushatën për zgjedhjet parlamentare.
Investigimi i “Birn” zbuloi se PD lidhi dy kontrata me kompaninë amerikane “Stonington Strategies’. Pagesat për kompaninë e lobimit u bënë nëpërmjet dy kontratave të lidhura në fund të Marsit nga Partia Demokratike dhe një kompani tjetër që ‘Birn’ thotë se është një kompani fantazëm e regjistruar në Skoci me emrin “Biniatta Trade.