Nga Akademia e Sigurisë, një Konferencë shkencore ndërkombëtare mbi sfidat bashkëkohore të sigurisë, kryeministri Edi Rama është shprehur se nga muajin janar do të filloje vettingu në Polici, Ndërsa i pranishëm në këtë konferencë ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa tha se buxheti i alokuar nga qeveria për këtë dikaster për vitin 2018 është një tregues qe vete kryeministri është i angazhuar në luftën kundër kriminalitetit.
“Pastërtia e radhëve të policisë, integriteti i lartë është parakusht i domosdoshëm dhe padiskutueshëm, ne kemi bërë sa kemi mundur jo sa kemi dashur në funksion të rritjes së shpërblimit moral e financiar për punonjësit e policisë, do vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë, por procesi historik i pastrimit të policisë së shtetit, sikurse edhe të gjyqësorit nga elementë të kriminalizuar, korruptuar por edhe të paaftë do vijojë me vendosmëri në radhët e policisë së shtetit e pastaj të gjitha strukturave të tjera ligjzbatuese” tha kryeministri.
Më tej Rama tha se vettingu në radhë të policisë do të japë rezultate, duke u shprehur se lufta kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve kriminale që prej vitesh nuk janë goditur, është në fokusin dhe prioritetin e Policisë së Shtetit.
“Vetingu që është organizuar e do fillojë në Policinë e Shtetit nga janari do japë rezultate të qenësishme sikundër kam besim se brezat që do dalin duke nisur nga së shpejti prej Akademisë do jenë një burim i jashtëzakonshëm transformimi të gjakut të policisë së shtetit.
Vijimi i goditjeve për të shkatërruar rrjetet e grupeve kriminale mbetet prioritet kryesor. I kthehem edhe një herë operacionit forca e ligjit si një ndërmarre që do synojë katet më të larta dhe nyjet më të thella të krimit të organizuar që për shumë vite kanë qene larg fokusit të goditjeve.
Është shënjestrimi i aseteve dhe financave me origjinë kriminale duke i zhveshur këto rrjete nga mundësia e rikthimit dhe duke bërë të mundur një mesazh të qartë që kush përfiton nga krimi nuk i gëzon dot ato që përfiton”, tha Rama.
Ndërsa ministri Xhafaj u shpreh se “Aksioni forca e ligjit i miratuar se fundmi dëshmon vullnetin politik dhe institucional të qeverisë edhe agjencive të tjera ligjzbatuese në luftën pa kompromis të krimit të organizuar. Buxheti i alokuar nga qeveria për ministrinë e Brendshme për vitin 2018 është gjithahashtu një tregues u qartë i vullnetitt të kësaj qeverie për jetësimin e këtyre projekteve madhore. Ky është buxheti më i lartë të paktën 10 vitet e fundit me një rritje 70% krahasuar me vitin që sapo mbyllim. Do shkoje kryesisht për investime te teknologjia në fushën e hetimit dhe pajisjet shkencore, mungesë që ka ndikuar ndjeshëm në efektin e zbulueshmërisë së krimit”.