Kreu i PD-së, Lulzim Basha, vijon të sulmojë kryeministrin Edi Rama për neglizhencën sipas tij ndaj njerëzve të varfër dhe familjeve në nevojë.
Pas denoncimit nga Paskuqani në një takim me pronarë të biznesit të vogël, sërish në një status në Facebook kryedemokrati thotë se futja e këtij biznesi në skemën e TVSH-së, do të rrisë çmimet dhe vështirësojë edhe më shumë jetën për shqiptarët.
“Edi Rama nuk ndjen detyrim për qytetarët, vetëm për kriminelët që e mbajtën në pushtet. Prandaj çdo ditë të qeverisjes së tij ia kushton krimit dhe kriminelëve,” shkruan më tej Basha.
Statusi i plotë
Edi Rama nuk e ka ndërmend tu vijë në ndihmë 30% të familjeve që nuk blejnë dot ushqime, 39% të familjarëve që nuk paguajnë dot faturat e dritave dhe ujit, 43% të familjeve që nuk sigurojnë dot ngrohje për fëmijët. Përkundrazi ai duke futur biznesin e vogël në skemën e tvsh, do të rrisë çmimet dhe vështirësojë edhe më shumë jetën për shqiptarët. Sepse Edi Rama nuk ndjen detyrim për qytetarët, vetëm për kriminelët që e mbajtën në pushtet. Prandaj çdo ditë të qeverisjes së tij ia kushton krimit dhe kriminelëve, herë duke mbyllur sytë para hashashizimit të vendit, herë duke ndihmuar kriminelet të arratisen e herë duke fshehur urdhërarrestet ndërkombëtare për ta.