Javët e fundit, në fokus të debatit ka qenë dhuna ndaj kafshëve, nxitur nga një video e shpërndarë në median sociale. Situata ka nxitur nismën e deputetit socialist Saimir Tahiri, për të kërkuar disa ndryshime në Kodin Penal, ku përfshihet edhe shtimi i një kreu të veçantë për keqtrajtimin e kafshëve.
Një vëmendje të veçantë në ndryshimet e propozuara ka marrë edhe neni i propozuar për “Shfaqjet, konkurset dhe luftimin ndërmjet kafshëve”.
Ky nen propozon që shfaqjet dhe konkurset e paligjshme ku marrin pjesë kafshë të dënohen me gjoba nga 20 mijë deri në 50 mijë lekë.
Më i ashpër është dënimi i propozuar për ata që organizojnë luftime dhe veprimtari të dhunshme me kafshët, siç janë ndeshjet mes qenve. Organizatorët ose pronarët në këtë rast do të dënohet me burgim nga 1-2 vjet burg dhe me gjobë nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë.
Po ashtu do të dënohet me ligj edhe prodhimi, shpërndarja, shitja e botimi i imazheve të luftimeve ndërmjet kafshëve, me çdo mjet ose forme. Pra, edhe të pranishmit në aktivitete të tilla që bëjnë foto ose video dhe i publikojnë në rrjete sociale do të dënohet. Masa e parashikuar është deri në 200 mijë lekë gjobë ose burgim deri në 1 vit.
Në të gjitha rastet e sipërpërmendura, nëse shkaktohet ngordhja e kafshës, atëherë dënimi maksimal arrin deri në 3 vjet burg, ndërsa gjoba shkon deri në 1 milionë lekë.