Emisioni investigativ “BOOM” publikoi mbrëmjen e sotme rastet e dy automjteve të ç`regjistruara nga ana e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Fier dhe Vlorë, pa dijeninë e pronarëve të tyre. Këta të fundit kanë denoncuar skandalin, duke pohuar se për vite me rradhë ata kanë paguar taksa, të cilat nuk dinë se ku kanë shkuar. Autoritetet e transportit rrugor pranojnë se mjetet janë ç`regjistruar gabimisht gjatë fushatës së ç`regjistrimit të makinave që nuk përdoreshin, në vitet 2011-2012. Por skandali vijon me faktin se pronarët paguanin rregullisht detyrimet.Pas interesimit të BOOM institucionet morën përsipër trajtimin e rasteve për t`i dhënë një zgjidhje ligjore, por mundësia më reale mbetet Gjykata.
Vendim Balili nga fshati Bishan i komunës Novoselë në Vlorë denoncoi në BOOM, se ka pasur një makinë tip furgoni që e ka blerë në vitin 2010 me të cilën ka punuar deri këtë vit. Pra ka paguar, taksa siguracione, e ka kolauduar automjetin, ka paguar dhe gjoba madje. Këtë vit ka vendosur të mos e përdor më.
Por kur shkon në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Vlorë për ta ç’regjistruar mjetin bashkë me targat i thonë që makina e tij ishte e ç`regjistruar që në vitin 2011. Zotëria deklaron se nuk ka bërë asnjëherë kërkesë për ç`regjistrim mjeti dhe ngre pyetjen kush e ka ç`regjistruar mjetin e tij dhe ku kanë shkuar taksat që ai ka paguar në këtë drejtori për këto 6 vite? Kjo gjë tregon se institucionet tona nuk bashkëveprojnë me njëra-tjetrën.
Denoncimi
Vendim Balili: Kam blerë një furgon në vitin 2010. Kam punuar me të deri në vitin 2017. Kam paguar taksa, siguracion kolaudim, edhe gjoba kur kam bërë gabime. Në qershor 2017 shkoj për ta ç`regjistruar. Nuk desha ta mbaja më. Ata të drejtorisë atje më thanë ky furgon nuk ekziston, është i ç`regjistruar që në vitin 2011.
Gazetarja: Ju keni bërë ndonjë kërkesë për ç`regjistrim të përkohshëm ose të përhershëm?
Vendim Balili: Jo, unë s`kam bërë kërkesë fare, asnjëherë. Më dhanë një letër e cila thoshte që është ç`regjistruar në 2011 . Kur unë i kam paguar të gjitha, taksa, ku kanë vajtur këto lekë, ku kanë shkuar? Tani dua ta di. Për ta ç`regjistruar ata s`ta ç`regjistrojnë, më thonë është ç`regjistruar. Kush e ç`regjistroi këtë mjet? Unë nuk kam çuar asnjë dokument atje. I kam dokumentat të gjitha vetë.
Gazetarja: Sa lekë keni paguar ju për taksa çdo vit dhe për siguracione?
Vendim Balili: Venë te 500-600 mijë lekë. E ku kanë vajtur,i ka marrë shteti këto lekë? Po të pësoja aksident unë kush do më mbronte mua? Mbrohesha unë me këtë që të shkonin të shikonin që furgoni ishte pa dokumenta, i pa regjistruar. Prandaj unë ju drejtova emisionit BOOM për ndihmë. Ku kam unë besim, se ndoshta ata siç e ç`regjistruan, mund ta regjistrojnë prapë dhe ngelem unë borxh në shtet. Ja shikoni pagesat (e ka fjalën për pullën e taksave që ngjitet te xhami para i makinës) 2013, 2014, 2012. I kam bërë gati targat dhe kërkova ndihmën tuaj të shkojmë tani te drejtoria për të zgjidhur këtë problem.
Gazetarja: Si detyrim ju duhet të dorëzoni atje dhe targat në momentin që bëhet ç`regjistrimi?
Vendim Balili: Po. Dorëzohen targat, leje qarkullimi, certifikatë pronësie.
DRSHTRR Vlorë: Ç’regjistrimi është bërë gabimisht
BOOM iu drejtua Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Vlorë, ku i thanë se ç’regjistrimi është bërë gabimisht. Vetëm këtë vit është rregulluar sistemi na thanë, vitet e tjera nuk shihej fare statusi i mjetit.
Denoncuesi: Dua të bëj ç`regjistrimin.
Punonjësi: Si?
Denoncuesi: Ta ç`regjistroj.
Punonjësi: Vetëm 2017-ën do paguash, 9 muaj të 2017-ës.
Punonjësi: Ju e keni të ç`regjistruar mjetin.
Denoncuesi: Qysh e kam të ç`regjistruar? Unë po vij për ta ç`regjistruar tani. Është i ç`regjistruar?
Punonjësi: Po. Reno?
Denoncuesi: Reno trafik.
Gazetarja: Si do t`ja bëjmë tani? Të dorëzojmë targat, të ç`regjistrojmë mjetin?
Punonjësi: Ju kush jeni?
Gazetarja: Unë jam mbesa e këtij zotërisë. Si? Se ky nuk ka dorëzuar targat, si është ç`regjistruar pa dorëzuar targat? Mund të na ktheni një përgjigje ju lutem?Këto taksa ku kanë shkuar nga 2011 deri tani?
Punonjësi: Duhet të pyesni te financa, lart.
Gazetarja: Duhet të pyesim te financa? Po patjetër që do të shkojmë dhe te financa, por puna është si do t`ja bëjmë me mjetin për të dorëzuar targat dhe për të mbyllur procedurën? Se mos nesër na del e regjistruar përsëri dhe del zotëria debitor.
Punonjësi: Makina është ç`regjistruar në fushatën e 2011-ës, gabimisht.
Gazetarja: Si gabimisht? Të lutem na kthe një përgjigje, sepse xhaxhai im ka pesë herë që ka ardhur këtu për këtë problem. Ju i thoni është e ç`regjistruar, targat i ka këtu? E keni pritur dhe ju dhe persona të tjerë.
Punonjësi: Kaloni pak te financa.
Gazetarja: Ku të kalojmë?
Punonjësi: Te financa lart.
Punonjësi: Verifikimi i mjetit nëse është i ç`regjistruar, del kur aplikon për një leje ndërkombëtare, kur bën ndërrim pronësie, ndërrim targash. Domethënë nëse futesh në sistem, këto që kemi ne të mjeteve.
Gazetarja: Dhe ky sistem ju pretendoni që është instaluar tani në 2017 -ën, që ju e kuptuat që del i ç`regjistruar mjeti?
Punonjësi: Po.Tani nuk të lejon të bësh veprime. Sistemi që ishte instaluar në 2011-ën e kishte këtë, që të lejonte të bëje veprime, domethënë të paguaje taksën. Po ne nuk mund të kalojmë në analizë, për çdo mjet, është aktiv apo jo mjeti. Sepse nuk ndodhin domethënë, normalisht është një lapsus që ka ndodhur, ja ne po nxjerrim këtë rast që po më del mua. Unë rasti i parë që po ndeshem, i kësaj natyre.
Përgjegjësja e financës: Dosja në Durrës, duhet ta marrim për verifikim
Ndërkohë përgjegjësja e financës DRSHTRR Vlorë tregon se ku kanë shkuar lekët e taksave të paguara.
Ajo zbuloi gjithashtu se në 2011 është bërë një fushatë për ç`regjistrimin e makinave nga ana e kësaj drejtorie, ku punonjësit e kontrollit në rrugë, sipas saj, kë takonin në rrugë nëse ai person donte ta ç`regjstronte makinën, me kartë identiteti dhe me firmën e punonjësit mund ta ç`regjistronte mjetin.
Po zotëria thotë nuk e ka ndaluar asnjë punonjës, dhe as nuk ka kërkuar ndonjëherë ç`regjistrimin. Por dosja është në Durrës, duhet verifikuar.
Gazetarja: Përse ka ndodhur që mjeti është ç`regjistruar në vitin 2011 pa një kërkesë të zotërisë, qoftë për ç`regjistrim të përkohshëm, qoftë për ç`regjistrim të përhershëm, sikurse vërtetuam se ka ndodhur në 2011?
Përgjegjësja e financës: Siç edhe e verifikuam bashkë nga zyra ime, u verifikua që mjeti është ç`regjistruar nga punonjësit e sektorit të kontrollit në rrugë. Në vitin 2011 ka qenë një urdhër i drejtorisë sonë të përgjithshme që në këto ç`regjistrime të ndihmonte dhe ky sektor. Për këtë arsye sot që flasim bashkë, fashikulli i ç`regjistruar ka ikur në Durrës, që për të bërë këtë verifikim do na duhet të risjellim fashikullin këtu me një kërkesë dhe të verifikojmë kush e ka bërë këtë ç`regjistrim. Në atë fashikull, duhet të ketë, një dokument identifikimi të personit dhe nënshkrimi i punonjësit që ka bërë ç`regjistrimin.
Gazetarja: Pra duhet të jetë aty brenda në dosje karta e identitetit?
Përgjegjësja e financës: Po, karta e identitetit të pronarit të mjetit.
Gazetarja: Punonjësit e taksave që kanë marrë këto lekë, nuk e kanë parë që ky mjet ështe i ç`regjistruar?
Përgjegjësja e financës: Punonjësi i taksave ka user-in e përcaktuar në të cilin bën aplikimin e taksës dhe verifikimin e gjobave të kontrollit në rrugë. Sistemi deri më sot nuk ka mundësuar që gjatë aplikimit të taksës të bëhej dhe verifikimi i ç`regjistrimit nëse mjeti është i ç`regjistruar apo jo. Kjo ka qenë deri në fund të vitit 2016, ndërsa sot që flasim nëse zotëria do të shkonte të bënte taksën, vetë sistemi nuk e lejon të bëhet kjo taksë.
Gazetarja: Këto lekë ku kanë shkuar për sa kohë janë paguar për një mjet të ç`regjistruar?
Përgjegjësja e financës: Normalisht këto lekë janë në buxhetin e shtetit, kalojnë në arkë. Nga arka janë procedurat tona që kalojnë në buxhetin e shtetit. Pasi ta konsumojmë këtë problem me drejtorinë e regjistrimit të mjeteve , të ketë ardhur dhe dosja e mjetit këtu, të shikohet dokumentacioni që ka dosja, do t`ju njoftojmë në një moment të dytë për zgjidhjen që do t`i bëjmë.
Denoncuesi Vendim Balili bëri kërkesë për verifikim ç`regjistrimi, me të dhënat e mjetit, dhe la dhe një numër kontakti atje. Nga komunikimet që ka pasur BOOM, thonë që një kopje e kartës së identitetit të zotërisë gjendet në fashikullin e Durrësit.
Në fakt nuk e kanë pasur aq të vështirë t`ja linin fajin sërish zotërisë, sikur me gjasme ky e paska kërkuar ç`regjistrimin, se kartën e identitetit e ka pasur dhe në dosjen e makinës po aty, të kësaj makine dhe një makine tjetër që ka në pronësi. Ajo fotokopje është, bëhet kollaj.
As Sigurimet nuk verifikojnë dot paraprakisht regjistrimin e mjetit
Por zotëria gjatë gjithë këtyre viteve ka paguar dhe siguracion. BOOM ishte në kompaninë e sigurimeve. Punonjësi që i ka prerë siguracionin denoncuesit thotë që unë nuk e verifikon dot para se ta pres siguracionin nëse mjeti është i regjistruar apo i ç`regjistruar.
‘Unë shoh vetëm lejen e qarkullimit tha’ ai.
Pra gabimi i një institucioni, nuk kapet nga asnjë institucion tjetër, pasi secili nga këta vepron i pavarur nga tjetri.
Punonjësi i kompanisë së sigurimeve: Mjeti ka qenë, meqë po pyet për pjesën e sigurimit, mjeti ka qenë i siguruar deri në datën 30 qershor.
Gazetaria: Dakord , por për çfarë do ti hynte në punë ky siguracion kur mjeti ishte i ç`regjistruar këtë po pyes, a ka logjikë?
Punonjësi i kompanisë së sigurimeve: Mjeti dhe i ç`regjistruar të jetë, nuk e di pjesën e ç`regjistrimit këtej, se nuk jam pjesë e kësaj…Dhe i ç`regjistruar të jetë, nëqoftëse zotëria bënte një aksident dhe kishte siguracion, siguracioni i përgjigjej për aksidentin që do bënte. Tek mua nëqoftëse vjen me lejen e qarkullimit, më sjell lejen e qarkullimit përpara, unë kam të drejtë të të pres sigurimin. Unë nuk verifikoj dot është i ç`regjistruar apo s`është i ç`regjistruar.
Në Fier, denoncuesi shkon për të paguar taksat e traktorit, i del i ç’regjistruar
E njëjta situatë dhe në qytetin fqinj të Vlorës, Fier. Altin Kaja denoncon se i kanë ç`regjistruar traktorin. Një fakt të tillë e ka kontatuar pasi ka shkuar të paguajë detyrimet. Por kur ka shkuar të bëjë pagesën mjeti i rezulton i ç`regjistruar që në vitin 2012. Ndërkohë që ky zotëri pas kësaj kohe, si në rastin e parë ka paguar taksat. Drejtoria e Fierit thotë se nuk mbajnë përgjegjësi për ç’regjistrimin.
Altin Kaja: Kam një problem me mjetin tim bujqësor, traktor. E kam marrë në 2009-2010 mjetin. E kam pajisur me targa. Taksapagues i rregullt vit për vit. Vete sivjet për të paguar taksat e vitit, më del që mjeti është i ç`regjistruar që në 2012 nga amnistia e bërë nga Kryeministri i asaj kohe, të mjeteve që ishin të papërdorura.
Gazetarja: Ju ku e kishit regjistruar mjetin? Në cilën drejtori të shërbimeve të transportit rrugor?
Denoncuesi: Tek drejtori e përgjithshme në Fier.
Gazetarja: Në Fier?
Denoncuesi: Po.
Denoncuesi:Personit që unë i kisha blerë traktorin, i kishin vajtur dy punonjës të drejtorisë te shtëpia dhe i kishin thënë ke një mjet me këtë targë, e ke të pa ç`regjistruar. Do ta ç`regjistrosh? Po i kishte thënë ai, e ç`regjistroj. Po unë e kam shitur i kishte thënë ai. Epo ai personi që e ka blerë i kishte thënë ai, nuk e ka regjistruar. Ndërkohë unë e kisha regjistruar, pajisur me targa, me leje qarkullimi, me certifikatë pronësie dhe i kam dhe sot e kësaj dite të gjitha.
Denoncuesi: Kur vajta te drejtoria unë nuk të përfillnin fare, nuk donin ta dinin se çfarë bëhej fare. Ata më thoshin hidhe në gjyq, po se kë do hedh në gjyq unë nuk e di, do hedh drejtorinë, do hedh personin që ma ka ç`regjistruar. Që në 2012 deri në 2015 i kam paguar kot ato taksa, siguracione e të gjitha dhe në të njëjtën kohë nuk më thoshin që zotëri mos i paguaj kot, sepse e ke të ç`regjistruar.
Gazetarja: Ndërkohë mjetin ti tani e kë zëre se të bllokuar, nuk mund ta përdorësh dot?
Denoncuesi:Tani mjeti me atë që kanë bërë ata është i bllokuar, po tani unë jam i detyruar ta përdor se e kam për punë.
Juristja e DRSHTRR Fier: Mjeti është ç’regjistruar nga ish-pronari
Në lidhje me denoncimin e qytetarit nga Fieri, juristja e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor atje, deklaroi se ky ç`regjistrim është bërë në shkelje të ligjit, nga ish-pronari i mjetit në bashkëpunim me inspektorin e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Fier, dhe se inspektori figuronte i larguar nga puna.
Juristja: Bëmë verifikimin e dosjes dhe mjeti është ç`regjistruar në muajin shkurt të vitit 2012 nga pronari që i ka shitur mjetin Altinit.
Gazetarja: Si është ç`regjistruar tani nga pronari kur ky i ka bërë të gjitha dokumentat që nga 2011-ta?
Juristja: Ka bërë vetëdeklarim pronari, prandaj se ka qenë periudha e amnistisë.
Gazetarja: Ka pasur të drejtë ta bëj ky ish pronari ç`regjistrimin?
Juristja: Jo, jo, jo. Nuk ka të drejtë, po ai ka plotësuar një formular vetëdeklarimi, se kështu ishte procedura e ligjit.
Gazetarja: Dakord, po punonjësit si e kanë pranuar, ju e keni verifikuar kur ka ardhur tek ju ky procesverbal që dale se ky zotëria e ka shitur këtë dhe ky mjet tani …
Juristja: Normalisht i takonte punonjësit për të bërë verifikimin. Tani ky punonjës që ta gjej unë, nuk e kam këtu. Është person i larguar që në 2014 nga puna. Dhe janë të gjitha shkresat këtu, po flas me shkresa përpara.
Gazetarja: Ju kuptoj, faleminderit.
Juristja: Ja ka ç`regjistruar pronari që ja ka shitur atij, nuk ka faj ai.
Gazetarja: Edhe drejtoria e kupton, se nuk e ka verifikuar, nuk duhet t`ja ç`regjistronte pa e verifikuar mjetin apo e kam gabim?
Juristja: Normalisht ka dhe një gabim këtu, po, po, po. Ke të drejtë.
Zyrat e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Fier dhe Vlorë pranojnë që dy mjetet janë ç`regjistruar gabimisht nga inspektorët e tyre në fushatën e ç`regjistrimit të mjeteve në vitet 2011-2012.