Kryetari i PD, Basha ka zgjedhur kupolën drejtuese për legjislaturën e re të Kuvendit.
Edmond Spaho është zgjedhur kryetar i grupit të PD në vendin e Edi Palokës, ky i fundit zbret në pozicionin e nënkryetarit të grupit të djathtë dhe parlamentit, ndërsa Grida Duma do të jetë zëdhënëse e grupit parlamentar.
Drejtuesit e rinj të grupit të PD janë zgjedhur në mbledhjen e fundit, një ditë para konstituimit të Kuvendit nesër në orën 10:00.
Kryetari i PD, Lulzim Basha në fjalën e mbajtur para grupit parlamentar, deklaroi se Partia Demokratike në asnjë rast dhe asnjë rrethanë nuk do të përfshihet në qeverisje.
Pasi u është përgjigjur kritikëve brenda së djathtës se nuk do të ketë asnjë përfshirje të PD në qeverisje me Ramën, Basha deklaroi se objektiv është opozita e forta e mbështetur në tre pika.
Nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PD-së Basha pohoi se ligjvënësit e rinj duhet ta dinë se do të sulmohen në botën e ashpër të politikës.
“Ne do të reformojmë PD dhe do modernizojmë atë dhe do i paraprijë gjithë sistemit politik në vend. Duke nisur nga sistemi zgjedhor. Na takon ne që të kemi dhe alternativë politike por edhe morale. Do jemi shembulli i përgjegjshmërisë. Ne do të propozojmë zgjidhjet tona ligjore. Do informojmë njerëzit mbi problemet reale të vendit, do luftojmë kundër korrupsionit. Do jemi pranë njerëzve dhe me njerëzit. Shqiptarët e thjeshtë sot janë më të braktisur se kurrë. Opozita jonë nuk do jetë e lehtë. Deputetëve të rinj ju uroj suksese. Mirë se vini në botën e ashpër të politikës. Do t’ju sulmojnë dhe do t’ju shajnë, por do ju duhet të ruani dinjitetin. Puna juaj do t’u shpërblehet me mirënjohjen e njerëzve, Ju jeni njerëzit më përgjegjësinë e madhe në PD. Ju uroj që ta përmbushni me nder këtë detyrë”, tha Basha.
Ai tha se duhet të bëhemi pengesë për të mos lejuar që vendi të rrëshqasë në kaos nga droga dhe krimi.