Një ari ka sulmuar një 45 vjeçar nga Kukësi, duke e plagosur në gjymtyrët e sipërme. Fatmirësisht, babai i pesë fëmijëve, i cili është ndeshur me kafshën e egër ka shpëtuar. Duke rrëfyer frikën tronditëse që ka përjetuar gjatë përleshjes, ai ka thënë se ka arritur të mbijetojë vetëm falë ndihmës që i ka dhënë qeni i tufës së bagëtive.
Fasli Karaxha thotë se arusha e ka ndjekur nga pas, dhe ngjarja ka ndodhur në mesditë. Pavarësisht frikës ai është ndeshur me kafshën e cila e ka lënë të plagosur.
“Unë kam qenë në bjeshkën e fshatit, duke kullotur tufën time të bagëtive. Ne e dinim që arusha apo ariu mund të na bënte dëme në blegtori, por që të na ngacmonte edhe ne, jo. Në bjeshkën tonë bari është shumë i madh dhe kur e pashë në fillim mu duk e vogël, por kur mu afrua pas shpine u tremba shumë. Fatmirësisht isha me qenin e tufës së deleve dhe ai më ndihmoi shumë. U ndeshëm, pasi e kapa nga veshët dhe e vura poshtë, por ishte shumë e madhe dhe falë ndërhyrjes së qenit mu largua. Më ka goditur në dorën e djathtë dhe kam pasur shumë gjakderdhje. Menjëherë kam njoftuar infermierin dhe kam përfunduar në spital. E them me bindje se, kafshët e egra janë shtuar, pasi edhe moratorium i gjuetisë ka ndikuar për shtimin e tyre. Kam përjetuar një frikë të paparë,” – ka thënë për Channel One Fasli Karaxha.
Në fshatrat e thellë të Kukësit, kafshët e egra si ujku, ariu, dhelpra etj janë të shumtë. Sipas banorëve të fshatit, ato janë shtuar shumë kohëve të fundit. Moratoriumi i gjuetisë ka ndikuar në shumimin e tyre. Këto kafshë gjithashtu janë duke dëmtuar edhe kulturat bujqësore dhe tufat e bagëtive.
“Kanë ndodhur ngjarje të tilla, por shumë të rralla. Ne i shohim çdo ditë, kryesisht në orët e vona të mbrëmjes, por që të dalin ditën në stanet tona kjo është hera e parë që ndodh. Nuk i vrasim dot, pasi është e ndaluar, por po na krijojnë probleme edhe për bagëtitë,” – thonë banorët e zonës.