Arabia Saudite, duke filluar nga mesnata, ka lejuar hapjen e faqeve të Katarit në internet përfshirë ato të kanaleve Al Jazeera dhe beIN Sports.
Autoritetet zyrtare ende nuk kanë bërë deklaratë lidhur me hapjen dhe përdorimin e këtyre faqeve të cilat u mbyllën pas krizës mes Katarit dhe disa vendeve arabe.
Megjithatë, Suud el-Kahtani, anëtar i Pallatit Mbretëror, përmes një deklarate në faqen e tij personale në rrjetin social tha se hapja e faqes së Al Jazeeras dhe faqeve të tjera të Katarit buron nga një defekt teknik dhe se faqet në fjalë do të mbyllen sërish pas rregullimit të defektit.
Kriza diplomatike në Gjirin Persik shpërtheu më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera në rajon dhe për mbështetjen e grupeve terroriste.
Katër shtete që vendosën bllokadë ndaj Katarit i dorëzuan Dohas zyrtare një listë me 13 kërkesa në të cilën kërkohej “mbyllja e bazës ushtarake turke në Katar, ndërprerja e marrëdhënieve me Iranin dhe mbyllja e televizionit Al Jazeera”. Sakaq, Katari ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjë kërkesë që është kundër të drejtës ndërkombëtare.